Letërsia shqipe në zi nga humbja e Dritëro Agollit; ja veprat më të mëdha të tij

Shkrimtari i njohur shqiptar Dritëro Agolli ka ndërruar jetë ditën e sotme. Prej ditësh, shkrimtari ndodhej i shtruar në Sanatorium dhe ditët e fundit gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar.

ShowBiz

03/02/2017 18:48

Për nga gjinitë, krijimtaria e Dritëro Agollit është e larmishme. Në vjershat dhe poemat e Dritëro Agollit gjejnë shprehje mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, patriotizmi dhe besnikëria ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë (Devon, Devoll, Poemë malore, Hapat e mia në asfalt etj.).

Vepra e tij poetike më e shquar është Nënë Shqipëri (1975), ku krijohet figura e Atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta që ndeshi në rrugën e vet dhe me vendosmërinë për të përballuar çdo pengesë e armik. Në poemën Baballarët theksohet rëndësia e veçantë e vijimësisë së traditave revolucionare në jetën e shoqërisë.

Në një sërë vjershash dhe poemash Dritëro Agolli pasqyron frymën heroike të periudhës së Luftës ANÇ (Poema e udhës, Poemë për babanë dhe për vete etj.).Në prozë bëri emër sidomos romani Komisari Memo (1969), në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës ANÇ. Nga ngjarjet e kësaj periudhe e merr subjektin edhe romani Njeriu me top (1975), që flet për ndikimin e luftës çlirimtare në mentalitetin e njerëzve.

Dritëro Agolli ka botuar edhe mjaft tregime e novela nga jeta e sotme. Ndër krijimet satirike romani Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo (1973) vë në lojë konformizmin, servilizmin dhe vanitetin si shfaqje të huaja për njeriun e ri.Në vitin 2011 Dritëro Agolli, është nderuar me titullin doktor Honoris Causa nga Universiteti Europian i Tiranës.

Në një ceremoni të veçantë, iu dha ky titull shkrimtarit të shquar “Për kontributin e madh dhe të rëndësishëm në krijimtarinë e tij letrare për më shumë se 60 vjet, si poet, prozatore, dramaturg përkthyes e eseist”.

Titujt e veprave

  • Në rrugë dolla, 1958
  • Hapat e mia në asfalt, 1961
  • Zhurma e erërave të dikurshme, 1964
  • Shtigje malesh dhe trotuare, 1965
  • Mesditë, 1968
  • Komisari Memo, roman, 1969
  • Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, roman 1973
  • Nënë Shqipëri, 1974
  • Njeriu me top, 1975
  • Fjala gdhend gurin, 1977
  • Trëndafili në gotë, roman, 1980
  • Fytyra e dytë, dramë
  • Mosha e bardhë, dramë
  • Udhëtoj i menduar, 1985
  • Njeriu i mirë, tregime
  • Kalorësi lakuriq, roman – 1996
  • Arka e djallit, roman – 1997
  • I përndjekuri i dashurisë, poezi – 2013
  • Prit edhe pak, poezi – 2016

/opinion.al/