Letërsia n’biçikletë, hapet konkursi për poezi e prozë

Është hapur konkursi për çmimin letrar për shkrime/krijime e vepra të reja, të pabotuara më parë, garë kjo e organizuar nga skuadra Ecovolis. Qëllimi i BicikLetërsisë është sensibilizimi përmes shprehisë letrare i një numri sa më të madh qytetarësh, artistësh e dashamirësh me temë MJEDISIN në tërësi, e në veçanti përdorimin e përditshëm të mjetit ekologjik ME DY RROTA.

ShowBiz

22/03/2016 16:19

Ky konkurs synon të vlerësojë të gjithë ata të vegjël, të rinj e të rritur, qofshin ata shkrimtarë të njohur apo artistë në fillesat e tyre të cilët kanë dëshirë apo domosdoshmëri të thonë, shprehin apo rrëfejnë diçka në lidhje me temën. Bicikletërsia u drejtohet të gjithëve, pa dallime moshe, apo vend-banimi. Regjistrimi është falas.

Veprat duhet të jenë të shkruara në gjuhën shqipe e nuk duhet të jenë të publikuara askund, qoftë edhe online para datës 24 Mars, datë që përkon edhe me nisjen e garës. Çdo pjesëmarrës duhet të garantojë origjinalitetin e veprës së dërguar, që do të thotë vepra nuk është krijuar nga të tretë por nga vetë dërguesi. Autori mund të marrë pjesë me një krijim të vetëm e në vetëm njërën prej kategorive.

Veprat do të gjykohen nga numri i pëlqimeve të marra në faqet online tek të cilat aktiviteti do të promovohet si dhe nga vendimi i pakundërshtueshëm i jurisë së profesionistëve.  Juria do të jetë e përbërë nga, Edmond Tupe-Shkrimtar, Sulejman Mato-Shkrimtar,  Anxhela Çikopano-Shkrimtare, Blendi Salaj-Gazetar,  Mimoza Bici-Shkrimtare, Flutura Maci-Shkrimtare, trasnmeton KultPlus.

Për kategorinë “POEZI” krijimi i dërguar nuk ka një numër- kufi rreshtash apo vargjesh. Për kategorinë “PROZË” pranohen krijimet prej 30 rreshtash. Krijimet e përfunduara, duhet të jenë në format PDF e të dërgohen në adresën [email protected] deri më datën 20 Mars 2016, bashkë me të dhënat e dërguesit, e një adresë e-mali aktive. Ecovolis ka të drejtën e publikimit të veprave të dërguara, përmes botimit, pa detyrime ndaj autorit. E drejta e autorit sigurisht mbetet e këtij të fundit.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 24 Mars në Tulla Center.  Prania e autorëve fitues në ceremoninë e sipër përmendur është e domosdoshme,  në rast mos- pjesëmarrjeje ata duhet të dërgojnë një zëvendësues të tërheqë çmimin. Skuadra Ecovolis merr të drejtën të implementojë “çmime speciale” apo “çmime shtesë” gjatë kohës së zhvillimit të garës. Më të mirët do të shpërblehen në secilën kategori, në poezi,  prozë dhe kategoria “Junior Kids &Teens”./KultPlus.com