Kryetari i ri i AAK-së në Pejë kërcënon pozitën se do t’i rrëzoj nga pushteti

Muhamet Mala, i cili deri më tani mbante postin e të parit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dega në Pejë, është liruar nga përgjegjësit që kishte duke ia lëshuar vendin Naim Sahitit.

Lajme

03/10/2015 19:25

Këtij të fundit, ia siguruan postin 42 votat e anëtarëve të AAK-së, gjatë mbajtjes së mbledhjes së Këshillit Drejtues të Degës në Pejë. Sahiti është edhe asamblist në Kuvendin Komunal në Pejë dhe sekretar i gjertanishëm i degës.

Me të marrë drejtimin e kësaj partie Sahiti ka dhënë deklarata të forta, duke kërcënuar ekzekutivin në këtë qytet se shumë shpejt do t’i largojë nga karriga.

“Aleanca ka lindur në Pejë. Partitë në Pejë, këto të opozitës bashkë me ne po zhvillojmë opozitë konstruktive. Opozita në Pejë tash e sa kohë e ka prapa vetës qytetarin, i cili është lodhur me këtë qeverisje. Opozita në Pejë sot është më e fortë se kurrë, ndërsa që partitë që po qeverisin me Pejën e veçanërisht partia udhëheqëse, besoi ka kohë që e kanë kuptuar se sukses për ta mund të quhet nëse arrijnë ta çojnë mandatin bashkë deri në fund. E pas kësaj, një gjë do ta kenë të sigurt, ulësen e opozitës. Kjo do jetë dhurata që do ta marrin nga AAK-ja”, deklaroi Sahiti, transmeton KosovaPress.

Sahiti, duke falënderuar të gjithë anëtarët e AAK-së për besimin u ka premtuar mbështetje deri në fitoren e partisë. Naim Sahiti është kryetari i katërt i degës së Pejës në këtë subjekt, pas Ethem Çekut, Ali Berishës dhe Muhamet Malës.

Ndërsa, merret vesh se kryetari i gjertanishëm i degës, Muhamet Mala pos pozitave tjera aktuale në AAK, do të jetë edhe këshilltar i kreut të partisë, Ramush Haradinajt.