Kryelajmi i politikës kosovare

Në Kosovën e fillimit të këtij viti, po ballafaqohemi me një shpërputhje, gjithnjë e më të madhe, në mes të kërkesave të qytetarëve dhe ofertës së politikës kosovare.

Lajme

11/01/2018 10:14

Sikur zgjedhjet  (votimet, vër.ime), do të ndryshonin gjë, ato do të ndaloheshin.

Ky është një grafit, i përmendur shpesh tek diplomatët perëndimorë, në bisedat private, i cili u shkrua dhe pastaj mbeti një kohë të gjatë, në qendër të Sofjes, të kryeqytetit të Bullgarisë, shtetit që prej 1 janarit të këtij viti ka marrë kryesimin me Bashkimin Evropian.

Autori i këtij grafiti, sipas diplomatëve perëndimorë, me zemër të plastë por edhe me medje të kthjelltë, shpjegoi në mënyrën më të saktë dhe më të ndershme të mundshme, bindjen e qytetarëve të rëndomtë në Bullgari, por edhe në shumicën e shteteve të ish-kampit komunist, se zgjedhjet shkojnë dhe vijnë, gjithsesi të lira dhe demokratike, që partitë e ndryshme dhe politikanët vijnë dhe shkojnë, gjithsesi të organizuar në baza të vullnetit të tyre, por që gjendja në vend, nuk ndryshon shumë, apo që ajo është një lloj dyzimi i korrupsionit dhe të popullizmit.

Kosova, si shteti më i ri në Ballkan dhe në Evropë, me siguri ka pasë më së shpeshti zgjedhje parlamentare, në harkun kohor 2008-2017, apo, në nëntë vitet e ekzistimit si shtet i pavarur. Nëse këtu mirret parasyshë edhe fakti që zgjedhjet e nëntorit të vitit 2007, u përligjën më pas si votimet për Kuvendin e parë të Republikës së Kosovës, atëherë del që për dhjetë vjet, në Kosovë janë mbajtë katër palë zgjedhje, ku tri prej tyre ishin të jashtëzakonshme. Mbase, edhe Italia  (e njohur deri vonë për votimet e shpeshta si pasojë e krizave të vazhdueshme parlamentare), do të na lakmonte për këtë dinamikë.

Në këto anë të Evropës, vetëm edhe Serbia dhe Maqedonia kanë pasë një rrjedhë të njejtë politike: Me zgjedhje të shpeshta, kërkohej stabiliteti politik, një vendimmarrje më e qëndrueshme, një fuqizim i drejtimit të caktuar politik, profilizimi i lidershipit që do të jetë në gjendje të ofrojë një perspektivë më të qartë për qytetarët e vet. Por, këtu ka një paradoks në vete, sepse zgjedhjet e shpeshta, nuk arrijnë dot të krijojnë një ambient ku dallimet politike qartësohen, pastaj, ato zakonisht janë refuzuese për investitorët e huaj (që i druajnë jostabilitetit në atë shtet), më në fund, ato vijnë e bëhen një shtegdalje e rregullt për elitat politike që nuk janë në gjendje të përballen si duhet me sprovat kryesore politike, ekonomike dhe sociale në vend. Zgjedhjet e jashtëzakonshme, në demokracitë stabile, janë të njëllojta me Qendrat emergjente shëndetësore. Ato përdoren vetëm kur politika e rëndomtë, nuk funksionon si duhet, apo, kur nuk zgjidhë probleme. Por në demokracitë e brishta, çfarë gjithsesi është edhe kjo e Kosovës, zgjedhjet e jashtëzakonshme janë ‘Qendër permanente e emergjencës’ politike.

Sidoqoftë, në demokracitë parlamentare, kudo në Botë, ashtu edhe ndër ne, në këtë pjesë të Ballkanit, vendimmarrja është një kombinim i disa elementeve shumë të rëndësishme.

Në radhë të parë, numrat janë në pyetje, apo, duhet krijuar një shumicë stabile parlamentare, e cila themelon por edhe mbanë në fuqi një Qeveri.

Së dyti, në vetë Qeverinë që udhëheq me një shtet, duhet të ketë një lidership të vendosur, për të trajtuar temat dhe çështjet kryesore që përbëjnë shqetësimin dhe interesimin e qytetarëve të rëndomtë, por edhe temat që janë në krye të interesave nacional të shtetit.

Së treti, sërish u kthehemi këtu numrave: Apo, buxhetit të një shteti. Nuk mund të ketë qëndrueshmëri të një shoqërie dhe të një shteti, nëse arka e shtetit nuk ka rritje të vazhdueshme, a kjo nuk bëhet ndryshe pos me zhvillimin ekonomik, e ky, në demokracitë liberale, më së shumti është pasojë e investimeve të brendshme dhe të jashtme.

Në Kosovën e fillimit të këtij viti, ne mbi të gjitha ballafaqohemi me një shpërputhje, gjithnjë e më evidente, në rritje e sipër, në mes të kërkesave të qytetarëve dhe ofertës apo mundësive të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Natyrisht, kudo në Botë ka një dallim në mes të ofertës qevrisëse dhe kërkesës së qytetarëve, rrëfim ky që vjen në shprehje vetëm kur ka siguri themelore, sepse ndryshe kujt nuk i bie ndërmend, në mungesë të sigurisë, të kërkojë gjë tjetër në atë rast pos përligjjes së lirisë dhe të sigurisë.

Por në shembullin e Kosovës, dy dallim sa vjen dhe thellohet, thuaja në të gjitha temat e mundshme, prej atyre sociale, ekonomike, deri te ato të natyrës strategjike, çfarë ta zëmë është e drejta e qytetarëve për të mos mbetur të izoluarit e fundit të Evropës.

Është ky gjithsesi një lajm i keq për politikën kosovare./Lajmi.net/