Kriza politike në Maqedoni dëmton edhe turizmin

Pasojat e krizës politike në Maqedoni shkojnë përtej ngërçit që ka bllokuar krijimin e ekzekutivit pas zgjedhjeve të dhjetorit, duke e zhytur vendin në një vakum qeveritar.

Lajme

14/02/2017 18:28

Sektori i turizmit është një ndër ata që po e ndiejnë më shumë peshën e pasigurisë dhe rrezikut të destabilitetit. Operatorët turistikë maqedonas dhe hoteleritë ankohen se bizneset e tyre janë duke dalë me humbje si rezultat i paqartësive të situatës politike.

Ndikimet negative të saj po reflektohen në të gjitha degët e biznesit, thonë mediat vendase. Turizmi në Maqedoni shënoi 5% rritje në 2016-n, por pavarësisht këtij progresi, potencialet turistike të vendit nuk janë shfrytëzuar që të gjitha.

Shoqata maqedonase e turizmit thotë se 77% e shtretërve vitin e kaluar kanë mbetur të zbrazura. Të pashfrytëzuara kanë mbetur po ashtu edhe mundësitë e mëdha për turizëm dimëror, ndërsa komplekset malore janë harruar tërësisht.

Shoqata thekson nevojën e madhe që këto shtëpi të vendosen nëpër harta dhe të përmirësohet infrastruktura rrugore që çon deri atje.

Anëtarët e saj sqarojnë se e marrin një ndihmë nga shteti, por përpos kësaj është e domosdoshme sipas tyre të thjeshtësohen procedurat për dokumentacione, si dhe të paguhen me rregull të gjitha subvencionet në turizëm.