Kriza institucionale, rrezikohen pagat por edhe projektet zhvillimore

Nëse vazhdohet ngërçi politik, shërbyesit civilë do të mbesin pa pagat e tyre nga muaji mars i vitit që vjen, kurse rrezikohen edhe investimet dhe projektet e mëdha të investimeve.

Lajme

08/10/2014 22:09

Kështu është thënë në emisionin Rubikon të KTV-së, ku morën pjesë ministri në detyrë i Financave, Besim Beqaj, ai i Zhvillimit Ekonomik, Fadl Ismajli, si dhe drejtori i ATK-së dhe ai i Doganës, përkatësisht Behxhet Haliti dhe Lulzim Rafuna.

Beqaj ka thënë se nuk do të ketë rishqyrtim të Buxhetit dhe se deri në muajin shkurt të vitit 2015 ai është i planifikuar.

Fadil Ismajli, ndërkaq, ka folur për rrezikun e rënies së investimeve kapitale.

“Për shkak të krizës institucionale ka rënë interesimi për investime kapitale dhe rrezikohen projektet Termocentrali Kosova e Re, projekti i Brezovicës dhe shumë projekte të tjera, kurse  pasojat mund të barten në katër vjetët e ardhshëm”.

Behxhet Haliti e Lulzim Rafuna kanë theksuar se megjithë ngërçin kanë arritur të ruajnë trendin e mbushjes së buxhetit.

Sa i përket kërcënimeve të KEDS-it me mungesë energjie elektrike, Beqaj ka paralajmëruar këtë operator që të mos kërcënojë me mungesë të energjisë elektrike, sepse mund t’i merret kompania pa kompensim.