Krijimi i 120,000 vendeve të punës, mision i pamundur?

Qeveria e Kosovës nuk ka zgjidhje për zvogëlimin e papunësisë. Kosovës do t’i duhet një rritje ekonomike dyshifrore në katër vjetët e ardhshëm, për të realizuar premtimin për të krijuar 120 mijë vende të reja të punës.

Lajme

21/12/2014 08:19

Krijimi i këtyre vendeve të reja të punës nuk do të ndikonte në uljen e papunësisë, pasi, sipas të dhënave, numri i personave të rinj që inkuadrohen në tregun e punës për çdo vit është nga 25 deri në 30 mijë veta. Krijimi i aq vendeve të punës vetëm sa do ta mbante të ngrirë gjendjen e tashme të papunësisë, shkruan gazeta Koha Ditore.

Nëse merren si pikë krahasuese katër vjetët e kaluar, atëherë të dhënat tregojnë se nga vitit 2011 rreth 40 mijë persona të rinj kanë gjetur një vend të punës.

Edhe ky numër nuk mund të konsiderohet se janë krijuar aq vende të reja të punës, sepse 40 mijë ka qenë numri i punëtorëve që gjatë këtyre viteve u është paguar kontributi pensional të paktën një herë brena një viti.

Një numër i këtyre punëtorëve kanë qenë në punë të përkohshme gjatë ndërtimit të autostradës “Ibrahim Rugova”. Ky fakt e ul edhe më shumë numrin e vendeve të reja të punës, që mund të jenë krijuar gjatë këtyre katër vjetëve. Rritja mesatare ekonomike gjatë këtyre viteve ka qenë 3.4 për qind.

Gjatë këtyre viteve Kosova ka pasur përqindjen më të madhe të buxhetit që ka shkuar në investime kapitale publike. Por, pjesa më e madhe e investimeve kanë shkuar në ndërtimin e rrugëve.

Njëjtë do të mbetet edhe në të ardhmen, pasi Qeveria e Kosovës ka hyrë në obligime 600-milionëshe me nënshkrimin e kontratës me kompaninë “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradës në drejtim të Shkupit.

(Koha Ditore)