Korrupsion edhe në rrugën e mbyllur për Shkup: Kalohet me para dhe Coca Cola /VIDEO

Nuk dihet pse e qysh, por vetura dhe kamionë po lejohen në mënyrë selektive të kalojnë nëpër rrugën Kaçanik-Han i Elezit e mbyllur me vendim ministror. Dikush i përmendi paratë por kamera pa se punëtorëve te laura megjithatë u jepej diçka si kompensim për lejim kalimi.

Lajme

12/05/2018 22:02

Rruga nga Kaçaniku për në Han të Elezit zyrtarisht është mbyllur nga Ministria e Infrastrukturës. Tek vendi ku u aksidentuan dy policë u vendos një ndalesë nga kompania Bechtel-Enka. Por ajo për dikë po vlen e për dikë jo.

Njërit nga udhëtarët që tha se iu deshtë të përdorte këtë rrugë duke mos dashur të identifikohej tregon kushtin që duhet plotësuar për t’u lejuar që të kalojë andej.

“Do ditë ka shku deri në 40 euro. Me kalu kanë kalu njerëzit. Kohët e fundit 10 deri në 20 euro’, tha ai për Klan Kosovën.

Këtë e thotë edhe një qytetar tjetër që zgjodhi të kalojë në këmbë këndejpari.

“Kerret e vogla dikush po kalon dikush jo. Kur s’mundem të kalojë unë e ti mundesh për shembull, ti ke dhënë diçka. 10-20 euro shkojnë”, tha ai.

E filmimi i kësaj situate kur disa vetura e kamionë komercialë lejohen e disa kthehen nuk u pëlqeu punëtorëve të Bechtel Enkas.

Kur kamera largohet numri i veturave që lejohet të kalojnë shtohet.

Se ndalesa për dikë vlen e për dikë jo e konfirmoi edhe kryetari i shoqatës së shpediterëve të Hanit të Elezit Xhevdet Ramëuka.

Bile Ramuka për ta mbështetur deklaratën e tij tregon edhe një video ku shihet një kamionë duke kaluar.

Zëvendësministri i Infrastrukturës Rexhep Kadriu thotë se në qoftë se diçka e tillë vërtetohet do të merren masa ndaj kompanisë.

Ai ka ripërsëriur se pas vendimit të Ministrisë për bllokim të rrugës askush nuk mund ta përdorë atë deri në një vendim të ri dhe si alternativë është rruga nga Glloboqica.

YouTube player