Konstituimi i Kuvendit, brenda një muaji

Mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet brenda një muaji pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Lajme

03/07/2017 09:52

Certifikimi nga KQZ-ja do të bëhet pas shqyrtimit të 65 ankesave të partive nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili për një gjë të tillë do të dalë me vendim gjatë ditës së sotme.

Me këtë rast, sipas ekspertëve të çështjeve kushtetuese, presidenti i vendit Hashim Thaçi është i obliguar që brenda 30 ditëve ta caktojë mbledhjen konstituive. E në rast se Thaçi nuk e bën një gjë të tillë Kuvendi gëzon të drejtën absolute që ta thërrasë vetë mbledhjen për seancën e parë konstituive. Sipas tyre, kjo seancë duhet të udhëhiqet nga deputeti më i vjetër i legjislaturës së re, që sipas rezultateve të KQZ-së, figuron të jetë Adem Mikullovci nga “Vetëvendosja”.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e tri blloqeve, koalicionit PDK-AAK-Nisma, koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe lëvizjes “Vetëvendosje”, janë shprehur optimistë se nuk do të ketë vonesa sa i përket konstituimit të Kuvendit.

Sot vendimi për ankesat e partive

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) sot do të dalë me vendim përfundimtar për ankesat e parashtruara nga partitë politike në Kosovë pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Këtë e ka bërë të ditur për “Zërin” Mulë Desku, kryesues i Sekretariatit të PZAP-it, i cili ka thënë se një gjë e tillë do të bëhet publike deri në orën 14:00 më së largu.

“PZAP-i do të vendosë lidhur me ankesat e parashtruara në PZAP nga kandidatët për deputetë brenda afatit ligjor, respektivisht deri nesër në orën 14:00”, ka deklaruar Desku gjatë ditës së djeshme. Desku më tej ka njoftuar se PZAP-i ka pranuar gjithsej 65 ankesa nga subjektet politike. “Numri i ankesave të parashtruara në PZAP-i nga kandidatët për deputetë të subjekteve politike pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit 2017 nga KQZ-ja është 65 ankesa”, ka potencuar ai. E pas dorëzimit të vendimit të PZAP-it në KQZ pritet të bëhet edhe certifikimi i rezultateve nga kjo e fundit. /Zeri/