Konkluzat e Këshillit të Ministrave të pritshme, Kosova vështirë se këtë vit do ta fitojë liberalizimin

Këshilli për Çështje të Përgjithshme në Bashkimin Evropian sot është duke diskutuar në Luksemburg çështjen e zgjerimit të bllokut evropian.

Lajme

18/06/2019 20:09

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian para nisjes së takimit të sotëm, ka publikuar një draft të konkluzioneve sa i përket zgjerimit.

Lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel, është thënë se Prishtina dhe Beogradi duhet të bëjnë më shumë përpjekje për të kontribuuar në këtë proces, duke i kërkuar Kosovës që të pezullojë taksën dhe të dyja vendet të frenohen nga ndonjë akt që mund të konsiderohet si provokim.

Sipas Këshillit, dialogu mes këtyre dy shteteve duhet të fillojë sa më shpejt që është e mundur dhe një marrëveshje ligjërisht obliguese duhet të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar, dhe t’u kontribuojë stabilitetit rajonal.

Ky dialog njëherësh është konsideruar tejet i rëndësishëm për Kosovën dhe Serbinë, në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

Dialogu mes dy shteteve ka nisur më 2011. Aktualisht ky proces është bllokuar pasi, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka përmendur taksën si arsyetim për mosvazhdim të dialogut.

Këshilli po ashtu ka theksuar se është në dijeni që procesi i liberalizimit të vizave është proces i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës, mirëpo vendimi për të finalizuar këtë proces është ende në fazën e shqyrtimit.

Këshilli ndjen keqardhje për vendimin e Qeverisë së Kosovës për vënie të tarifave 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnjës, duke e konsideruar këtë hap si shkelje të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) dhe shpirtit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), e cila njëherësh është marrëveshja e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së.

Përveç tjerash, Këshilli ka thënë se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë çështje që duhen adresuar nga autoritetet e Kosovës dhe se ky trup është i shqetësuar për ndikimet politike në punësime si dhe për emërimin e personave të dënuar për krime lufte në pozita zyrtare.

“Këshilli e njeh rëndësinë e liberalizimit të vizave për Kosovën. Komisioni ka bërë një propozim zyrtar në muajin maj 2016 që të transferojë Kosovën në listën e shteteve që mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen, ashtu siç është prezantuar në raportin e korrikut 2018 rreth përmbushjes së kritereve të mbetura. Në mars 2019, Parlamenti Evropian përkrahu propozimin e Komisionit Evropian në lexim të parë. Vendimi për këtë propozim është duke u konsideruar nga Këshilli”, thuhet në konkluzionin e Këshillit të Bashkimit Evropian, shkruan lajmi.net.

Në lidhje më këtë analistët kosovarë sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave thonë se nuk ka asnjë risi dhe se të gjithë këto konkluzione kanë qenë të pritura.

Artan Murati nga KDI, ka thënë për lajmi.net, se konkluzat e Këshillit të Ministrave janë të qarta dhe të pritura.

Sipas tij, Kosova nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa e luftuar krimin dhe korrupsionin.

“Sinjalet e Këshillit (të Ministrave) për Kosovën që do të miratohen sot janë të qarta, e edhe të pritura. Ky është institucion ku përfaqësohen shtetet anëtare, dhe qëndrimi i shumicës së shteteve anëtare karshi Kosovës është i ditur, edhe për vizat, edhe për taksen, edhe për rrugëtimin evropian. S’ka BE pa luftë të mirëfilltë ndaj krimit te organizuar e korrupsionit. Momentin për qëndrime të buta të BE-së ndaj nesh e kemi humbur, moti”, ka thënë Murati.

Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK, ka thënë se Kosova nuk ka treguar shembuj pozitiv që është e gatshme mi hetuar dhe gjykuar profilet e larta politike dhe se sundimi i ligjit është kryefjala e procesit integrues.

“Realisht çështja e vizave është çështje që ju takon vendeve anëtarë te BE-se, kjo vendimmarrje realizohet brenda Këshillit të Bashkimit Evropian e ne e dimë se cili është pozicioni i disa vendeve të cilat janë skeptike rreth këtij procesi e këtu po përmendi Francën, Holandën, vende të cilat realisht theksin e kanë tek luftimi i krimit të organizuar  dhe korrupsionin. Pra, Kosova nuk ka tregu shembuj pozitiv që është e gatshme mi hetuar dhe gjykuar profilet e larta politike, sundimi i ligjit është kryefjala e procesit integrues pra është çelësi e cili mundëson vendimmarrjen për  çështjen e vizave”, ka thënë Kryeziu për lajmi.net.

Ai ka thënë se qëndrimi i bahskësisë ndërkombëtare për liberalizmin e vizave për Kosovën tashmë është i qartë dhe ky vendim lidhet me luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Ne i kemi parë qëndrimet zyrtare qoftë te  Francës, Holandës, qoftë të zyrës së BE-së në Kosovë. Krejt aspektin e vendimmarrjes për liberalizimin e vizave e kane kryekëput të lidhur me luftimin  e krimit të organizuar dhe  korrupsionit . Nëse analizojmë prej kur ka filluar matja e raste të shënjestruara në vitin 2016 e deri më sot, ne nuk kemi asnjë aktgjykim përfundimtar dënues për korrupsion, të profilit të lartë, andaj mendoj se institucionet  duhet të koncentrohen më shumë në këtë segment përpara se të bredhin nëpër kryeqendrat e Bashkimit Evropian pa asnjë rezultat në xhep”, ka thënë tutje Kryeziu.

Sipas tij, vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën më së largu mund të merret në fund të këtij viti.

“Afati me i afërt për këtë vendimmarrje mendoj që është në fund të këtij viti, pra momenti i parë kur mund ta testojmë disoponimin e Francës sidomos pas humbjes që ka pësuar presidenti Macron. Pra fundi i vitit është një test rreth gatishmërisë së këtyre vendeve hezitues për më pas një vendimmarrje që hap rrugë me ndodh lëvizja e lirë në vitin 2020 por ende jemi larg  me pa saktësisht se cili është disponimi i tyre. Ajo që po shihet është se liberalet edhe të gjelbrit janë “kingmakers” të institucioneve te reja te BE-së, duhet me pa se si po ndërtohet koalicioni ardhshëm brenda BE-së, dhe mbase me vlerësua se cili është disponimi i Francës për këtë çështje”, ka deklaruar Kryeziu.

Sipas tij, Kosova mund t’i gëzohet liberalizimit të vizave vetëm kur Franca të jap sinjale pozitive.

“Nëse edhe Franca jep një sinjale pozitive në fundvit atëherë mund të shpresohet diçka mirëpo institucionet  nuk duhet mu marrë me këto matematika , institucionet tona duhet ta kuptojnë që adresimi i reformave evropiane, krijimi i një mjedis të përshtatshëm për një sistem të drejtësisë me njerëz të cilët janë të aftë të guximshëm për me i hetuar qoftë edhe profilet e larta politike, është ndihmesa që mund ti jepet këtij procesi”, ka deklaruar Kryeziu.

Edhe analisti Imer Mushkolaj, ka thënë për lajmi.net, se këto konkluza nuk janë aspak befasuese.

Ai po ashtu ka thënë se sa i përket liberalizimit të vizave, ende ka skepticizëm dhe refuzim nga shtetet më të rëndësishme të BE-së që merren me këtë proces.

“Asgjë befasuese po mendoj se ata që kanë menduar se do të ketë përfundime të tjera do me thënë me siguri nuk janë realist. Dhe të gjithë ata që kanë frikë se do të marrim ndonjë shenjë praktike për liberalizim të vizave po ashtu duhet me qenë jo realist për shkak se po dihet se fatkeqësisht nuk ekziston gatishmëria e shteteve të rëndësishme të BE-së që merren me liberalizimin e vizave. Kemi parasysh këtu refuzimin e plotë të Holandës dhe skepticizmin shumë të madh të Francës”, ka deklaruar Mushkolaj për lajmi.net.

Tutje ai ka thënë se politikanët nuk duhet të bëjnë premtime dhe se të gjitha premtimet e bëra deri më tani kanë rënë në ujë.

Mirëpo, Mushkolaj ka thënë se Qeveria nuk duhet ta lidhë çështjen e taksës me liberalizimin e vizave sepse këto të dyja janë çështje të kundërta.

“Kështu që të gjitha këto premtime që janë bërë po duket se do të bien në ujë dhe duhet me prit deri në fund të vitit në rastin më të mirë që të merret një vendim për liberalizim. Sa i përket taksës besoj se Qeveria nuk duhet assesi ta lidhë liberalizimin me taksën. Do të ishte gabim i madh që të hiqet taksa për ta fituar liberalizimin për shkak që nuk është se ne taksën e kemi vendosur si shtet për shkak të liberalizimit, por dihen arsyet pse e kemi vendosur. Kështu që liberalizimi duhet të shihet proces i ndarë prej taksës dhe nuk duhet të shihet si shpërblim por si një lloj përmbushje e standardeve të cilat ata i kanë kërkuar, i ka kërkuar Bashkimi Evropian dhe teknikisht ne jemi në rregull”, ka deklaruar Mushkolaj.

Ai po ashtu ka thënë se Kosova duhet ta ketë parasysh që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është kusht kryesor për liberalizimin e vizave.

Mushkolaj, po ashtu ka thënë se kryeministri Ramush Haradinaj nuk duhet të ngutet me urimet e tij për liberalizimin e vizave.

“Natyrisht se duhet të vazhdohet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por po them nuk duhet të lidhet liberalizmi i vizave me taksën dhe politikanët e sidomos kryeministri është dashur që të kursehet prej urimeve që din ai ti bëj për liberalizim për shkak se po duket që procesi nuk është aq i lehtë çfarë mund ta ketë pritur Haradinaj”, ka deklaruar Mushkolaj.

Në lidhje me konkluzat e Këshillit të Ministrave të BE-së, gjatë ditës së sotme ka folur edhe kryeminsitri, Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se konkluzionet e Këshillit nuk përfshijnë një vendim të prerë për çështjen e liberalizimit të vizave.

“Mendoj që është mirë me e ba një dallim për natyrën e të dalurave nga Këshilli ose konkluzionet. Asnjë nga këto konkluzione nuk është vendim. Thuhet që është marrë vendim, mirëpo nuk është e vërtetë. Gjendja në këtë është korrekte, pra siç e kemi prit. Ne ende nuk kemi hyrë në Agjendë të Këshillit të Ministrave”, ka thënë ai.

Sipas Haradinajt, Kosova është fituese vetëm me faktin që konkluzionet për liberalizimin e vizave janë hartuar nga Këshilli i Ministrave.

Haradinaj në këtë konferencë ka folur edhe për taksën si dhe faktin nëse ajo lidhet për procesin e liberalizimit të vizave.

“Taksa është një problem në marrëdhëniet me të gjithë, mirëpo ne nuk e kemi procesin e dialogut dhe anëtarësimit në BE të lidhur me taksën. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, dhe tek liberalizimi i vizave nuk përmendet taksa”, ka thënë Haradinaj

Sipas kryeministrit, taksa ka krijuar një atmosferë  të caktuar, mirëpo se ajo nuk është e lidhur me liberalizimin e vizave, ngase sipas tij gjermanët nuk e kanë kushtëzuar këtë me heqjen e taksës.

Në fund, Haradinaj ka folur edhe për procesin e dialogut, për të cilin ka thënë se kanë dështuar tendencat që në tavolinën e dialogut të përfshihet sovraniteti i Kosovës.

“Lajmi për vendimin negativ të Këshillit të Ministrave është i pabazuar. Sa i përket taksës mendoj që e kam shpjeguar disa herë se si jemi. Unë s’jam këtu për të çuar sovranitetin e Kosovës në tavolinën e dialogut, sepse është një tavolinë Ad-hoc, sepse ka devijuar dialogu i udhëhequr nga Mogherini”, ka thënë Haradinaj në fund të kësaj konference. /Lajmi.net/