Kompromisi është neutraliteti

Ivica Dacic kërkon që të gjendet një kompromis për konstituimin e komunave serbe në Veri. Sipas tij, përsëritja e zgjedhjeve, nuk është synim i asnjërës palë. Ai gjithashtu thotë se dialogu me Kosovën nuk do të vazhdojë para 21 janarit.

Lajme

10/01/2014 12:32

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka deklaruar se askush nuk e ka për qëllim që të përsëriten zgjedhjet në Kosovë.

Dacic këto komente i ka bërë në kohën kur në Bruksel janë duke vazhduar takimet në Bruksel në mes të grupeve punues nga të dy vendet rreth modaliteteve të mbajtjes së seancave inauguruese të asambleve të katër komunave në pjesën veriore të Kosovës, transmeton Beta.

“Kërkohet një zgjidhje me kompromis e cila do të jetë neutrale ndaj statusit. Prishtina ka bërë të ditur se nuk do të ketë kompromis sikur që ka qenë në çështjen e betimit”.

Ai thotë se mbetet ende kohë e mjaftueshme për të arritur deri te një zgjidhje përfundimtare. Kryeministri serb, gjithashtu ka potencuar  se “të gjitha gjërat që në shikim të parë duken si të imta apo të vogla, kanë mundësi që të paraqesin pengesa në vazhdën e dialogut”.

“Dialogu me Prishtinë, nuk do të fillojë para konferencës së caktuar në mes të BE’së dhe Serbisë, që pritet të mbahet më 21 janar”, tha Dacic.