“Komplimente për dukjen” këshilltarja e Presidentes dhe deputetja e VV-së reagojnë ndaj deklaratës së Eliza Hoxhës

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti, ka reaguar ndaj një deklarimi të deputetes së PDK-së, Eliza Hoxha, e cila në kuadër të kritikave të saj për një vit mandate të presidentes Vjosa Osmani, në fund e komplimentoi atë për dukjen.

Lajme

06/04/2022 18:11

“Ma shumë e kam dëgju duke fol për Ukrainën së fundi sesa tan vitin për Kosovën. Një gjë duhet ta pranojmë – komplimenta për dukjen!”, kishte shkruar ndër të tjera Hoxha.

Ndërsa, deputetja e VV-së deklaroi se nuk duhet komentuar pamja e grave, duke shtuar se një gjë e tillë i dëmton të gjitha, përfshirë edhe gratë në politikë.

Ajo këtu përmendi edhe rastin e deputetit të PDK-së, Ardian Kastrati, i cili pati ofenduar Osmanin për pamjen.

“Në vitin e kaluar menduam që u mbyll cikli i gabimeve pas reagimit të një deputeti që shau presidenten për dukje. Aq shumë njerëz racionalë u shprehën kundër dhe e dënuan gjuhën e tij sa mendon që kjo do të jetë hera e fundit që dikush merret me këtë aspekt. Dhe prapë peshorja aktivizohet herë në njërën anë herë në tjetrën. Asnjëherë gratë aty nuk janë tamam. Sa e sa herë është argumentuar se komentimi i pamjes për gratë, përfshirë ato në politikë i dëmton të gjitha gratë. Dëshira ime është që asnjë grua, asnjë deputete të mos shprehet kështu dhe as të mos mendojë në këtë formë të dëmshme e paragjykuese”, shkroi ajo në Facebook.

Për të njëjtën deklaratë të deputetes, Eliza Hoxha, sot reagoi edhe këshilltarja e Osmanit, Donjeta Miftari, e cila për dallim nga Hoxha në fillim renditi disa lëvdata e më pas tha se “përpjekja për të reduktuar fuqinë e Presidentes në pamjen e saj është trishtuara dhe indikator i infantilitetit”, në politikën e vendit.

“Është për keqardhje qasja seksiste në shoqërinë tonë dhe fakti që e njëjta amplifikohet tutje nga disa gra në politikë. Për fund, nëse dikush ka pikëpamje për qëndrimet politike të Presidentes, jemi me fat që jetojmë në një demokraci të hapur ku këto mendime mund të shprehen publikisht”, ka shkruar Miftari.