Kisha Serbe, “ndërmarrja” e tretë më e suksesshme në Serbi

Kisha Ortodokse Serbe (KOS) është një nga “ndërmarrjet” më të suksesshme në Serbi dhe me të ardhura ajo është e treta, menjëherë pas Ndërmarrjes shtetërore të naftës dhe Elektroekonomisë serbe.

Lajme

04/05/2015 21:17

Natyrisht, KOS nuk është firmë, por ajo grumbullon rreth 140 milionë euro në vit, tregon një hulumtim i gazetës Blic të Beogradit, transmeton lajmi.net.

Një nga insajderët përbrenda kreut të KOS ka zbuluar se në kohën e krizës, kjo kishë ishte një nga investitorët më të mëdhenj, duke investuar në hotele, prodhime bujqësore, verari, qirinj e të tjera për të cilat shtetit nuk i paguan asnjë cent tatime. Ai vlerësoi se brenda një viti në arkat e KOS derdhen ndërmjet 130 deri 150 milionë euro në vit.

Por, sipas edhe një bashkëbiseduesi tjetër kishtar, pjesa më e madhe e të hyrave vjen nga donacionet.

Njerëzit “religjiozë” mendojnë se duke dhënë kontribute për KOS do të lajnë mëkatet e bëra më herët. Në një kishë në Beograd, në mesin e donatorëve është edhe një kriminel i njohur, i cili para disa vitesh është vrarë në një pritë. Ai ka dhuruar për KOS-in 500,000 euro, tregon një nga krerët e kësaj kishe.

Me gjithë këto të ardhura marramendëse, shteti serb paguan nga buxheti i saj edhe 9 milionë euro pë KOS dhe kjo është e dhëna e vetme transparente për të hyrat e Kishës.

Blic shkruan se sikur nga të hyrat e KOS të paguheshin taksat për shtetin, si veprohet në shumë shtete të Evropës, nga ato taksa do të mund të ndërtoheshin 10 shkolla apo dy spitale në vit.