KF Skënderbeu me reagim zyrtar ndaj UEFA-s

Skuadra e Skënderbeut i ka reaguar UEFA-s.

Sport

16/02/2018 20:15

Në sajtin e UEFA sot është publikuar një lajm ku thuhej se inspektorë të këtij institucioni janë kërcënuar me jetë gjatë hetimeve ndaj skuadrës shqiptare, e cila është dënuar me 10 vite mos pjesëmarrje në garat evropiane për kurdisje të ndeshjeve.

REAGIM ZYRTAR –

Duke marrë shkas nga lajmi i publikuar së fundmi në portalin e UEFA-s, Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’ mohon kategorikisht dyshimet dhe akuzat se persona të lidhur me klubin kanë kërcënuar me jetë inspektorët e organizatës europiane të futbollit.

Një veprim i tillë është totalisht jashtë natyrës së qetë, qytetare dhe ‘Fair-Play’ të klubit tonë dhe drejtuesve më të lartë të ekipit.

Nëse ka pasur kërcënime atëherë KF Skënderbeu inkurajon organet përkatëse ti shkojnë deri në fund çështjes.

Përsa i përket shqetësimit të shfaqur nga UEFA në lidhje me publikimin e informacioneve dhe raporteve, Klubi i futbollit ‘Skënderbeu’ mohon të ketë shperndarë raportin duke njohur natyrën konfidenciale të tij.

Raportet e shfaqura në media kanë dalë nga zyrat e UEFA-s për media të caktuara sportive në Shqipëri.

Faleminderit për mirëkuptimin.

Zyra për shtyp

KF Skënderbeu