Izraelit i kërkohet rishqyrtimi i njohjes së Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pritur sot në një takim ambasadoren e Izraelit, Alona Fisher Kamm.

Lajme

18/06/2018 21:08

Kryediplomati kosovar dhe diplomatja izraelite kanë diskutuar mbi nivelin e përgjithshëm të marrëdhënieve në mes dy shteteve dhe dy popujve si dhe gjetjen e formave për shtimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit, bën të ditur MPJ, nëpërmjet një njoftimi.

„Jam i lumtur, që sot jam takuar me Ambasadoren e Izraelit për t’i diskutuar lidhjet tradicionale në mes dy popujve dhe dy vendeve. Kosova është mik i Izraelit dhe ne e konsiderojmë Izraelin mik të Kosovës. Ne, jemi të interesuar që të zhvillojmë marrëdhëniet në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, në veçanti në ekonomi, siguri dhe edukim“, ka thënë numri dy i Qeverisë së Kosovës.

Në vijim të takimit, Pacolli i ka kërkuar diplomates izraelite, që Izraeli ta rishyrtojë njohjen e Kosovës, bën të ditur MPJ.

„Ne, i kërkojmë Izraelit që ta njoh Kosovën. Izraeli tashmë është vonë në lidhje me këtë çështje. Të gjithë aleatët e Izraelit e njohin Kosovën dhe nuk ka arsye pse Izraeli nuk po e merr këtë vendim“, ka thënë Ministri Pacolli.

Më pas, ai ka shprehur edhe interesimin e Republikës së Kosovës për të hapur Zyrën Ekonomike të Kosovës në Izrael si dhe organizimin e një Forumi të Përbashkët Ekonomik në mes dy vendeve, që do t’i bashkonte përfaqësuesit e biznesit.

Ministri i Jashtëm Pacolli i ka kërkuar mysafires nga Izraeli edhe mbështetjen e shtetit të saj për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.