Investim 1.5 milionësh për menaxhimin e ujërave të zeza të Badovcit

Në kuadër të investimeve kapitale me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës në kryeqytet, Komuna e Prishtinës, kompania e ujësjellësit “KUR Prishtina” dhe Agjencia Çeke për Zhvillim kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për projektin “Përmirësimi i cilësisë së ujit në liqenin e Badovcit përmes sistemit adekuat të menaxhimit të ujërave të zeza”.

Lajme

21/04/2015 16:42

Përmes këtij projekti, synohet reduktimi i efektit negativ të ujërave të ndotura në cilësinë e ujit në Liqenin e Badovcit, shkruan në një komunikatë për media nga Komuna e Prishtinës.

“Qëllimi i projektit, është që përmes ndërtimit të impiantit të sigurojë që ujërat e zeza të trajtohen para se të mbërrijnë në liqenin e Badovcit dhe në këtë mënyrë të zvogëlohen  gjasat që të ketë ndonjë ndikim negativ në cilësinë e ujit në liqe”.

“Vlera e këtij projekti pritet të jetë mbi 1.5 milion euro ku Qeveria e Republikës së Çekisë do të investojë rreth 700 mijë euro në rregullimin e impiantit, Komuna e Prishtinës do të investojë afër 800 mijë euro në rregullimin e rrjetit të kanalizimit në këto tri fshatra, ndërsa prona ku do të ndërtohet impianti është në pronësi të ‘KUR Prishtina’. Projekti në tërësi pritet të përfundoi gjatë këtij viti”, njofton komunikata.

Nga ky projekt do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Prishtinës sepse do të pastrohet Liqeni i Badovcit nga ujërat e zeza e posaçërisht do të përfitojnë edhe banorët e fshatrave Mramor, Busi dhe Sutesk kanalizimet e të cilëve do të rregullohen në tërësi.

Ky bashkëpunim është i bazuar në parimet e partneritetit, efikasitetit, transparencës, dhe kontribuon në promovimin e marrëdhënieve të ndërsjella politike dhe ekonomike mes dy vendeve.