Intervistim përndjekës

Kryeministri Hashim Thaçi thotë se është \"përkrah bashkëluftëtarëve në betejat jo të drejta gjyqësore\". Marrjen në pyetje të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi nga hetuesit e EULEX’it, e quan “intervistim përndjekës”.

Lajme

23/12/2013 09:34

Kryeministri i Kosovës dhe Kryetari i PDK’së, Hashim Thaçi, ka dalë në mbështetje të ish bashkëluftëtarëve të tij nga UÇK të cilët janë duke u përballur me akuza të drejtësisë ndërkombëtare.

Marrjen në pyetje të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nga hetuesit e EULEX’it, Thaçi e quan “intervistim përndjekës”.

“Të dashur bashkëluftëtarë, Kam qenë me Ju gjithmonë dhe jam përkrah Jush edhe sot në betejat jo të drejta gjyqësore, në të cilat, po ballafaqohen z. Selimi, dhe z. Lushtaku, dhe së fundi edhe z. Krasniqi, që u sfidua nga një intervistim përndjekës bazuar si duket në thashetheme”.

“Lufta jonë ka qenë e drejtë dhe çlirimtare”.

“Asnjë proces gjyqësor me argumente gjysmake nuk mund ta ndryshojë historinë. Duke qenë në anën e së drejtës dhe principeve, kemi qenë dhe do të dalim fitimtarë”, ka thënë Kryeministri Thaçi, në një postim të tij në Facebook.