INTERVISTË/ Ambasada e Kosovës në Maqedoni flet për funksionimin e saj dhe hallet e kosovarëve atje

Marrëdhëniet e Kosovës me vendet e rajonit po shihen si shumë të rëndësishme nga bashkësia ndërkombëtare.

Lajme

07/03/2020 13:41

Sa u përket vendeve të rajonit, Kosova gëzon marrëdhënie të mira ndër-shtetërore dhe diplomatike me Maqedoninë e Veriut.

Lajmi.net ka realizuar një intervistë të shkurtë me Ambasadën e Kosovës në Maqedoninë e Veriut për t’i pyetur rreth funksionimit të ambasadës, marrëdhënieve me shtetin maqedon dhe pyetje të tjera.

Ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut thotë se kanë marrëdhënie shumë të mira me shtetin maqedon dhe gjithashtu, pretendohet thellimi i bashkëpunimit midis dy vendeve.

“Republika e Maqedonisë së Veriut po ecën sigurt drejt NATO-s dhe Bashkimin Europian, rrugë kjo të cilën do ta ndjekë edhe Kosova andaj është me rëndësi jetike të kemi një fqinjësi dhe bashkëpunim reciprok duke u bërë si vende të stabilitetit, sigurisë dhe paqes, një shembull për gjithë Ballkanin Perëndimor që të mos mbetemi peng i paragjykimeve dhe të së kaluarës, por të hapim një epokë të re të bashkëpunimit dhe perspektivës euro-atlantike.”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për lajmi.net.

Nga ambasada e Kosovës për lajmi.net kanë treguar problemet me të cilat përballen qytetarët e Kosovës në Maqedoninë e Veriut dhe lehtësimet që kjo ambasadë ua mundëson atje.

“…Ata vijnë për të bërë tregti, nevoja mjekësore dhe hospitalizimit, të lindjes së foshnjeve në klinikat e Shkupit, kanë lidhje martesore e familjare me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por kanë edhe nevoja nga më të ndryshmet të cilat ambasada e Kosovës në Shkup ofron mbështetje dhe lehtësime të procedurave dhe nevojave të tyre”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Për më tepër, lexoni të plotë intervistën më poshtë:

Lajmi.net: Si funksionon ambasada e Kosovës në Maqedoni?

Ambasada e Kosovës në Maqedoni: Ambasada e Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, funksionon me të gjitha kapacitetet e plota të një misioni diplomatik të një shteti të pavarur. Kohët e fundit kemi zgjëruar dhe renovuar objektin e ambasadës, kemi krijuar kushte optimale për shërbimin konsullor dhe aktivitetet e tjera. Jemi në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës por edhe qytetarëve tjerë të cilët kanë nevojë për shërbimet e ambasadës sonë, të pajisjes me viza hyrëse të informacioneve për procedurat e bashkëpunimit ekonomik, kulturor, etj, me Republikën e Kosovës.

Lajmi.net: Cilat janë marrëdhëniet e ambasadës së Kosovës me shtetin maqedon?

Ambasada e Kosovës në Maqedoni: Marrëdhëniet e Ambasadës së Kosovës me institucionet shtetërore, autoritetet fetare, forcat politike, komunitetet fetare, shoqërinë civile dhe mediat në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë shumë të mira dhe kemi një mirëkuptim dhe bashkëpunim të sinqertë si dy vende fqinjë dhe mike. Ndërtimi i autostradës Prishtinë – Hani i Elezit, hapja e pikës doganore ndërkufitare Stançiq-Bellanoc, lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, kompanive dhe ndërtimi i mirëbesimit ndërshtetëror janë lehtësim për të forcuar, thelluar dhe bashkëpunuar në të gjitha fushat e jetës. Republika e Maqedonisë së Veriut po ecën sigurt drejt NATO-s dhe Bashkimin Europian, rrugë kjo të cilën do ta ndjekë edhe Kosova andaj është me rëndësi jetike të kemi një fqinjësi dhe bashkëpunim reciprok duke u bërë si vende të stabilitetit, sigurisë dhe paqes, një shembull për gjithë Ballkanin Perëndimor që të mos mbetemi peng i paragjykimeve dhe të së kaluarës, por të hapim një epokë të re të bashkëpunimit dhe perspektivës euro-atlantike.

Lajmi.net: Me çfarë probleme përballen shtetasit kosovarë në Maqedoni?

Ambasada e Kosovës në Maqedoni: Shtetasit e Republikës së Kosovës të cilët fatkeqësisht dhe padrejtësisht jetojnë nën regjimin e vizave dhe mohimit të lëvizjes së lirë, e kanë të lehtë udhëtimin komod dhe pa viza në disa vende të Ballkanit Perëndimor përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. Ata vijnë për të bërë tregti, nevoja mjekësore dhe hospitalizimit, të lindjes së foshnjeve në klinikat e Shkupit, kanë lidhje martesore e familjare me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por kanë edhe nevoja nga më të ndryshmet të cilat ambasada e Kosovës në Shkup ofron mbështetje dhe lehtësime të procedurave dhe nevojave të tyre.

Lajmi.net: Sa është numri i kosovarëve që i drejtohen ambasadës në baza ditore ose mujore?

Ambasada e Kosovës në Maqedoni: Numri i kosovarëve të cilët i drejtohen ambasadës në Shkup, ndryshon çdo ditë, por pothuajse çdo ditë kosovarët e drejtohen ambasadës së tyre për nevoja nga më të ndryshmet. Ambasada e Kosovës pa asnjë ngecje dhe problem i mbështet nevojat e tyre të cilat janë kompetencë e ambasadës, i këshillon, ua lehtëson procedurat edhe për kosovarët të cilët ndërrojnë jetë në klinikat e Maqedonisë së Veriut, për foshnjat e porsalindura të cilat pajisen me dokumenta të nevojshme, për të burgosurit kur kryejnë dënimin, për të burgosurit të cilët kalojnë transit nëpër Maqedoninë e Veriut në vendet e treta, për të burgosurit të cilët janë në vuajtje të dënimit ose paraburgim, pra ne jemi në shërbim të qytetarëve tanë konform kompetencave tona dhe duke respektuar ligjet e shtetit mikpritës të Maqedonisë së Veriut.

Lajmi.net: Si ecë bashkëpunimi i ambasadës me autoritetet institucionale të Kosovës?

Ambasada e Kosovës në Maqedoni: Misioni diplomatik kosovar në Shkup nuk bën politikë, ai implementon dhe përcjellë politikat e institucioneve të Kosovës dheështë urë bashkëpunimi mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Normalisht se marrëdhëniet e ambasadës sonë me institucionet kosovare janë të përgjegjshme, serioze, institucionale dhe të domosdoshme. Ambasada është institucion shtetëror dhe mbi partiak dhe si e tillë ka bashkëpunim të ngushtë me institucionet e shtetit të Kosovës dhe më gjerë, me të gjitha segmentet e Republikës së Kosovës. /Lajmi.net/