Imuniteti i Tahirit vendoset sot: PD kundërshtoi shtyrjen

Në orën 10:00 pritet mbledhja e Këshillit për Mandatet dhe Imuniteteve për të vendosur mbi imunitetin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Lajme

21/10/2017 09:23

Ka qenë ky vendimi që kryetari i këshillit, Gramoz Ruçi i ka komunikuar mbrojtjes së Tahirit në përfundim të mbledhjes së të premtes, pasi ka dëgjuar pretendimet e të gjitha palëve, përfshirë të opozitës dhe prokurorëve.

Mbledhja filloi me avokatin e Tahirit, që kërkoi shtyrjen e marrjes së vendimit, duke deklaruar se, një mbrojtje e arsyeshme kërkon një afat kohor prej 3 ditësh. Kërkesë kjo që ka shkaktuar një debat mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.

Enkelejd Alibeaj, PD: Kjo është alibia e radhës drejt pandëshkueshmërisë. Po vendosni ta shtyni. Zoti kryetar ju po shkelni procedurën. Sot nuk kemi për qëllim t’i vëmë prangat dikujt. Ky është momenti i së vërtetës për reformën në drejtësi. Keni pasur kohë, keni pasur dosjen, nuk ka elementë të rinj siç deklaroni, ndaj duhet të vijojmë një orë e më parë me procedimin. Boll kohë u kemi dhënë shkelësve të ligjit të prishin provat.

Bledi Çuçi, PS: Personalisht nuk do ta zgjasja një sekondë këtë farsë të ardhur nga prokuroria. Por këtu jemi për të respektuar procedurat parlamentare, përfshirë të drejtat e çdokujt para Kushtetutës dhe ligjit. Nëse deputetit që akuzohet për një krim shumë të rëndë dhe prokuroria ka ardhur për ta arrestuar nuk i lind e drejta që të mbrohet, ky është një turp i këtij Parlamenti. Një kërkesë e tillë u bë për Lulzim Bashën në 2007. U bënë 6 mbledhje të Këshillit, më shumë se dy muaj kohë. Kurse ai po kërkon 3 ditë, brenda datës që kemi caktuar si seancë plenare. Jemi brenda çdo afati procedurial. Unë jam i bindur që kemi të bëjmë me një farsë. Por duhet të dëgjojmë deri në fund personin. Është në nder të këshillit që ne t’i lëmë afat mbrojtjes.

Genti Strazimiri, PD: Mbrojtja bëhet në gjykatë, jo këtu.

Eduard Halimi, PD: Në 2007, Lulzim Basha ka kërkuar vetë t’i hiqet imuniteti. Ka ardhur këtu në sallë dhe ka thënë ‘ma hiqni imunitetin sot’. E dyta, në 2007 prokuroria nuk ka kërkuar arrestimin e Bashës dhe Basha nuk akuzohej për përfshirje në trafik droge. Sot është një akuzë e tillë dhe kërkohet arrestimi i deputetit. Provat e sjella nga prokuroria janë të mjaftueshme për të ngritur dyshime të arsyeshme.

Gramoz Ruçi, kryetar: Nuk mund të vijë asnjë organ tjetër dhe t’i thotë Këshillit ‘miratojeni sot’. Organi i akuzës ka atributin për ta ndaluar Saimir Tahirin dhe rregullorja lejon që brenda 4 ditëve të shprehet po ose jo. Në rastin konkret, prokuroria ka paraqitur një kërkesë që kërkon ndalimin dhe sipas rregullores, ky Këshill ka në dispozicion 4 javë. Dhe Parlamenti e vendos në seancën më të parë, në fillim të rendit të ditës.

Prokurori i çështjes: Ne i kemi parashtruar kërkesat, argumentet dhe arsyet përse e kërkojmë një autorizim sot. Ne nuk e dimë se cili mund të jetë vendimi juaj, kështu që nuk mund të shprehemi.

Gramoz Ruçi, kryetar: Vlerësoj se është e domosdoshme marrja në konsideratë e kërkesës. Zotërinj të palës mbrojtëse, e hëna është vonë. Keni kohë deri nesër. Nesër në orën 10 duhet të vini këtu. Me deputetin Basha ka zgjatur 60 ditë mbledhja e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve.

Enkelejd Alibeaj, PD: Hidhe në votim! Kjo është e turpshme! Ti sapo pranove fajin pa filluar gjyqin!/ Top Channel