IHPSH publikon anketë, e vëndos të parin Gruevskin e Ahmetin, reagon LSDM-ja

Besim më të madh nga politikanët në këtë moment, qytetarët kanë te lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski me 26 për qind, 13,5 për qind janë përcaktuar për kryetarin e LSDM-së Zoran Zaev, për kryetarin i BDI-së, Ali Ahmeti janë përcaktuar 4,5 për qind, për presidentin Gjorge Ivanov 3 për qind, ndërsa Bilal Kasami nga Lëvizja Besa ka 1,1 për qind.

Lajme

19/03/2017 16:08

Për Ziadin Selën nga Aleanca për Shqiptarët janë përcaktuar 0,9 për qind, respektivisht për Menduh Thaçin nga PDSH-ja 0,8. Gjithsej 31,1 për qind nga të anketuarit janë përgjigjur se nuk kanë besim në asnjë politikan, ndërsa dy për qind kanë cekur liderë tjerë.

Këto janë rezultatet nga pjesa e dytë e hulutimit të Institutit për hulumtime politike nga Shkupi (IHPSH), të zbatuar përmes anketës telefonike në periudhën mes 10 dhe 13 marsit në 1.100 të anketuar të moshës madhore në nivel të Republikës së Maqedonisë.

LSDM: Anketa më relevante janë rezultatet nga zgjedhjet e 11 dhjetorit

Anketën më relevante të qytetarëve Nikolla Grueski e mori në zgjedhjet e 11 dhjetorit. Rreth 70 mijë qytetarë me vendosshmëri u prononcuan se Gruevski nuk guxon më ta udhëheq Maqedoninë. Shumica e qytetarëve kanë zgjedhur ndryshime, drejtësi dhe unitet, kumtoi LSDM-ja, duke reaguar ndaj anketës së Institutit për hulumtime politike – Shkup (IHPSH).

“Gruevski duhet ta pranojë realitetin e ri se ai është opozitë dhe se asgjë, as anketa të porositura nga agjenci që kanë marrë tenderë milionëshe nga instituconet shtetërore, nuk do ta ndryshojnë këtë fakt. Gruevski dhe VMRO-DPMNE-ja janë opozitë dhe kanë obligim, në interes të qytetarëve dhe të Maqedonisë që menjëherë të mundësojnë tansfer të shpejtë dhe të qetë të pushtetit”, njofton LSDM-ja në kumtesë.