Identifikimi i gabuar i mbetjeve mortore shton dhembjen për të vrarët gjatë luftës

Familjarët e personave që janë gjetur dhe identifikuar pas vrasjes dhe zhdukjes së tyre nga forcat okupuese serbe gjatë luftës në Kosovës, më nuk janë të sigurt nëse ky identifikim është i saktë.

Lajme

04/12/2014 08:22

Rastet e fundit të përzierjes së mbetjeve mortore nëpër varreza kanë nxitur dyshime dhe pakënaqësi, shkruan sot Koha Ditore.

Familja Osmani nga Mitrovica, është njëra prej tyre që po përballet me këto ngatërresa.

Ka më tepër se 16 vite qyshkur kanë humbur familjarin e tyre, i cili është vrarë në Koshare.

Avdullah Osmani, tregon se para pak ditësh është kontaktuar nga Komisioni për personat e zhdukur dhe është njoftuar se trupi i vëllait të tij, Naim Osmani, është gjetur.

“Vëllai im ka qenë ushtar i UÇK-së. Kishte ardhur nga Perëndimi gjatë luftës dhe ishte vrarë në Koshare. Ne nuk kemi ditur asgjë për të. Tash më 21 nëntor të këtij viti më lajmëruan se trupi i tij është gjetur dhe ndodhet në varrezat e Makovcit në Prishtinë. Por kur shkova atje në atë varr figuronte emri i dikujt tjetër”.

Në varrin ku po dyshohet të jetë trupi i ushtarit Osmani, Xhavit Krasniqi nga Makovci i Prishtinës thotë ta ketë varrosur babanë me duart e veta.

Megjithëkëtë, Krasniqi shprehet i gatshëm që kjo çështje të sqarohet. Ai ka treguar se shumë shpejt do të bëhet zhvarrosja e trupit.