Heqja e flamurit në Stamboll, reagon MPJ: Vuçiq është një shpifës i kriminalizuar

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq doli me një deklaratë “bombë” se me kërkesën e tij, dje në Stamboll organizatorët kanë hequr flamurin e Kosovës.

Lajme

30/10/2018 16:45

Në lidhje me këtë deklaratë propagandë të presidentit serb ka reaguar, Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit për Punë të Jashtme Behgjet Pacolli.

Zyberaj në një përgjigje për lajmi.net e ka quajtur Vuçiqin shpifës i kriminalizuar.

“Vuçiq është një shpifës i kriminalizuar. Flamuri i Kosovës ka qene aty ndërsa delegacioni i Kosovës është nderuar me nivelin më të lartë protokollar”, ka thënë këshilltari i ministrit të Jashtëm.

Në lidhje më këtë temë ka reaguar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Thaçi ka thënë se në Stamboll të Turqisë është nderuar shteti i Kosovës dhe shteti i Shqipërisë.

“Krenar me respektin që u bëhet shteteve tona. Beogradi le të krrokat sa të dojë. HTH”, ka shkruar presidenti Thaçi në faqen e tij zyrtare në Facebook. /Lajmi.net/