Grabitja e taksistit, flasin familjarët e autorit: Kemi probleme ekonomike

Prindërit e efektivit të FNSH Eduart Budini i arrestuar një ditë më parë, pwr grabitje tw njw taksisti, pranojnë se i biri i tyre, e ka ndërmarrë këtë veprim, ndoshta i shtyrë nga gjendja e mjerë ekonomike që përjeton familja.

Lajme

17/03/2016 16:13

Borxhet një vjeçare ndaj qiraxhiut të shtëpisë, problemet familjare që ka me të shoqen, detyrimet që ka për fëmijën e vet, kredinë disa milionëshe që ka marrë tek një bankë, kanë qenë arsyet që kanë shtyrë Eduartin që të ndërmerrte veprimin në muajin nëntor të vitit të kaluar ku grabiti me armë.

Eduarti është arrestuar nga kolegët e tij të Gjirokastrës.

Sipas prindërve, Eduarti, kishte shfaqur tension kohët e fundit për shkak të presionit që ushtronte i zoti i shtëpisë tek familjarët e vet për të shlyer qiranë që ngelej pa paguar prej më se një viti.

Sipas të ëmës dhe të atit të Eduartit, ky i fundit, veprimin e dënueshëm e ka ndërmarrë i shtyrë nga këto halle dhe mungesa e një alternative tjetër për të mbijetuar ne si të papunë që jemi.

Eduart Budini, mbahet në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Gjirokastrës, në pritje të ekstradimit të tij nga Policia e kryeqytetit.

Ai ka shërbyer në 13 vitet e fundit, në Forcat e Armatosura dhe në radhët e Policisë së Shtetit në Repartin e FNSH në Fier dhe prej një viti e gjysmë në FNSH e Dragotit në Tepelenë.

Eduarti ka ndërmarrë të gjitha etapat e kurseve trajnuese për komando në Zall Her dhe ka shërbyer si komando në misionet paqeruajtëse në Afganistan dhe Irak.

Raportet me të shoqen e tij, janë acaruar së shumti prej disa muajsh dhe ndodhen në prag divorci shprehen prindërit. /shqiptarja.com