Gjobë me 100 euro për personat që ndezin goma me 1 Maj

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, paralajmëron ndëshkime për të gjithë ata që ndezin goma, një dukuri kjo mjaft e shprehur në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve – 1 Maj.

Lajme

30/04/2016 10:36

Sipas një komunikate të kësaj ministrie, Ligji për mbrojtjen e ajrit ndalon rreptësisht djegien e gomave – me ligj dënohet çdo person që kryen një veprim të tillë.

“Me 100 euro gjobë dënohet personi që djegë goma të automjeteve, ose mbeturina tjera prej gome, në hapësirat private, publike, në rrugë, ose natyrë. Djegë mbeturina të ndryshme prej letre në hapësirat publike, në rrugë, ose natyrë”, thuhet në komunikatë, transmeton lajmi.net.

MMPH tërheq vërejtjen se dyoksina dhe oksidet e tjera që lirohen nga djegia e gomave dhe materieve tjera shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimin e organeve të frymëmarrjes, kancerin e mushkërive, dëmton lëkurën duke shkaktuar edhe shumë probleme të tjera shëndetësore.

“Ndezja e zjarreve të tilla, bart me vete pasoja të mëdha për mjedisin. Vazhdimi i një praktike të tillë, është e pakuptimtë dhe e dëmshme për Republikën e Kosovës dhe imazhin e saj”.

“Ndezja e zjarreve pa kontroll ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njeriut, pasurinë private dhe shoqërore, si dhe ka degraduar mjedisin tonë edhe ashtu në gjendje jo të mirë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e MMPH-së.

Ministria e Mjedisit bënë me dije se janë angazhuar inspektorët, si dhe Policia e Kosovës dhe tërheq vërejtjen se kushdo që zihet, ose dëshmohet se ka ndezur zjarre do të dënohet./ lajmi.net