Gjenetika, nuk është më faktor për jetëgjatësinë

Shkencëtarët kanë përdorur metodën e hulumtimit që kombinon modelet matematikore dhe statistikore duke analizuar jetëgjatësinë e njerëzve.

Lifestyle

10/11/2018 10:55

Studimet e reja shkencore tregojnë se gjenetika ka një ndikim shumë më të vogël në jetëgjatësinë e njeriut se sa është menduar më parë.

Një grup shkencëtarësh të qendrës “Calico&Ancestry” kryen hulumtime gjithëpërfshirëse në bazë të pemës familjare që mbulojnë më shumë se 400 milionë njerëz.

Konkluzioni më i rëndësishëm që shkencëtarët kanë arritur është se trashëgimia nuk ka rëndësinë që i është dhënë më herët në përcaktimin e jetëgjatësisë së njeriut.

Shkencëtarët kanë përdorur metodën e hulumtimit që kombinon modelet matematikore dhe statistikore duke analizuar jetëgjatësinë e njerëzve që kanë jetuar në dy shekujt e mëparshëm, transmeton ”Alsat M”.

Studimet e mëparshme përcaktonin se gjenetika është një faktor prej 20 deri në 30 për qind në përcaktimin e jetëgjatësisë së njerëzve, ndërsa protagonistët e studimit të ri argumentojnë se ky është një faktor që ka më pak se 10 për qind të ndikimit.