Mbi 216 mijë kg mish i asgjësuar gjatë 2022-tës, këto janë statistikat për pijet e gazuara

Ajo se çfarë iu servohet për t’u ushqyer qytetarëve të Kosovës, shpesh herë nuk ka qenë adekuate. Madje si pasojë e produkteve të shumta të dala afati, apo edhe të pakontrolluara siç duhet janë gjetur në raftet e marketeve më të mëdha në vend. Kjo ka shkuar edhe më larg, ku si pasojë e këtyre…

Lajme

02/01/2023 17:58

Ajo se çfarë iu servohet për t’u ushqyer qytetarëve të Kosovës, shpesh herë nuk ka qenë adekuate.

Madje si pasojë e produkteve të shumta të dala afati, apo edhe të pakontrolluara siç duhet janë gjetur në raftet e marketeve më të mëdha në vend.

Kjo ka shkuar edhe më larg, ku si pasojë e këtyre produkteve ushqimore shpesh herë ka pasur edhe helmime nga më të ndryshmet.

Përgjatë vitit që lamë pas, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë theksohet të ketë shtuar dinamikën e punëve që burojnë nga mandati ligjor.

Sipas AUV, në vitin 2022 është shtuar frekuenca e kontrolleve zyrtare si në numër, po ashtu edhe në cilësi.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, ka thënë për lajmi.net se viti 2021 ka qenë vit i parë që Republika e Kosovës ka pasur vetëm një mekanizëm përgjegjës për kontroll në sigurinë ushqimore.

Ai theksoi se inspektorët komunal kanë kaluar nën autoritetin e AUV-it.

“Sigurisht, përveç si sukses, transferimi ka qenë edhe sfidë në organizim të tyre dhe pajisje me mjete pune. I kam mbështetur në të gjitha aspektet qe ata të ndihen sa më komod në punën ekipore me kolegët tjerë të cilat janë staf i AUV-së”,tha Thaçi.

Ai poashtu tha se çdo herë, kur një produkt është vlerësuar se nuk i plotëson kushtet për konsum, është larguar nga tregu fillimisht, e më pas është asgjësuar.

“Asgjësimi është formë e shkatërrimit qe pamundëson rikthimin e produktit të dyshimtë në treg. Në të njëjtën kohë ndaj të gjithë shkelëseve të ligjit të cilët kanë tentuar të shesin produkte të dyshimta iniciohet fletëparaqitje në gjykatë. Dhe për masën ndëshkimore gjithmonë vendosin gjykatat”,tha Thaçi.

I njëjti ka theksuar se arsyet e asgjësimit kanë qenë të ndryshme, duke përfshirë rastet e shumta kur edhe vetë operatorët e biznesit kanë lajmëruar apo kanë paraqitur kërkesë për asgjësim të produkteve që nuk i kanë plotësuar kushtet për konsum kanë skaduar apo nuk janë ruajtur ne kushte adekuate.

“Ky veprim nënkupton se ne i kemi bindur qe fillimisht ata ta dinë përgjegjësin qe kanë ne vet kontroll. Asgjësimi i produkteve tjera ka buruar nga kontrollet tona zyrtare, ankesat e konsumatorit dhe nga bashkëpunimet tjera raste me Policinë dhe Doganat. Kurdo qe një produkt është vlerësuar se nuk i plotëson kushtet ligjore qe garanton siguri, është ndaluar konfiskuar dhe asgjësuar”, u theksua tutje.

Po ashtu shkaqet e asgjësimeve kanë qenë edhe kur malli ka qenë pa origjinë, me afat të skaduar duke u ruajtur apo transportuar në kushte jo adekuate.

Në kuadër të asgjësimeve për vitin që lamë pas nga AUV kanë bërë të ditur për lajmi.net se në sektorin fitosanitar pati këto asgjësime:

Asgjësimi i produkteve ushqimore me prejardhje bimore: 188,001.00 kg

Asgjësimi i pijeve të gazuara 21,530.00 litra

Fidane të bimëve dekoruese 15,534.00 copë

Inspektorati Veterinar:

Asgjësimi i 216, 406 kg produkte të mishit dhe qumësht apo produkte qumështi: 169,169.00. 8398 kokrra vezë pule dhe 3200kg mjaltë .

Ndërsa sa i përket inspektimit të kafshëve, e që janë bërë me kërkesën e policisë ka pasur gjithsej 70 raste të inspektimeve.

Me këtë rast janë inspektuar: 209 gjedhe, 467 dele, dhi, 1600 pula, 200 shoqëri të bletëve dhe 600 kg mish pa dokumentacion ilegal.

Ndërsa në kuadër të inspektoratit sanitar për vitin 2021 njoftohet të jenë asgjësuar: 820,489.694 kg, 81.25 Litra.

“Sasia totale e produkteve të asgjësuar për ketë vit deri me tani është 1,202,388.00 produkte ushqimore me prejardhje bimore dhe shtazore”,u tha në përgjigjen e AUV-it.

Ndryshe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në vitin që lamë pas ka zhvilluar inspektime të shumta, nga ku kanë asgjësuar produkte ushqimore dhe shtazore.

Shpesh herë ndër produktet që janë asgjësuar më së shpeshti janë ato të mishit./Lajmi.net/