Formula e Remit për kalimin nga situate aktuale politike

Anëtari i kryesisë së PDK-së Rrustem Mustafa-Remi është bërë sërish i ‘gjallë’ pas bllokadës në Kuvend. Sërish ka ardhur me një deklaratë interesante.

Lajme

13/10/2015 19:23

Ka thënë se për të rikthyer normalizimin institucional në vend nëse është e nevojshme duhet hapur mundësi të reja, ndryshime në qeveri, qofshin ato me zvogëlim, zgjerim apo edhe vetëm ndryshime brenda koalicionit.

Ish – komandanti i zonës së Llapit, në një intervistë dhënë për portalin tesheshi.com ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend, bllokimin e Kuvendit dhe aksionet e opozitës.

Ai, flet poashtu nëse është e nevojshme ndërhyrja e presidentes Jahjaga për të ulur tensionet dhe gjetjen e një zgjidhje, për idenë e ndryshimit të koalicionit si dhe për mundësinë e ndryshimit në udhëheqjen e lartë në PDK.

Opozita është duke kundërshtuar me ngulm marrëveshjet e fundit në Bruksel. Si i vlerësoni ju marrëveshjet për Asociacionin dhe Demarkacionin me Malin e Zi?

Mustafa: Marrëveshjet tani më janë nënshkruar dhe ne besojmë se janë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit, ndryshe kemi Gjykatën Kushtetuese si kujdestare dhe duhet të jenë syçelë dhe të verifikoj, a është gjithçka në rregull. Do të thotë se ngadalë dhe sigurt vendi ynë po hyn në rrugën e normalizimit institucional e shtetëror duke siguruar edhe raporte të lakmueshme fqinjësore.

Si i shihni veprimet e partive opozitare, si gjuatjen me vezë ndaj kryeministrit dhe së fundmi hedhjen e gazit lotsjellës?

Mustafa: Kam deklaruar edhe më herët, ne kemi një opozitë të fortë, dhe Kryesia e Kuvendit ka krijuar hapësirë të volitshme duke toleruar edhe metodat që nganjëherë duken agresive. Mendoj se është kaluar muri i nevojshëm dhe tani jemi para momentit kur duhet të sigurohemi se do të respektohen procedurat ligjore dhe rregullorja e Kuvendit, për t`u kthyer te normalizimi i punës së Kuvendit.

A ka ndikuar edhe fjalori i përdorur nga kryeministri Isa Mustafa që situata politike në vend të ‘nxehet’, dhe sa është përgjegjës për bllokadën në Kuvend?

Mustafa: Udhëheqësit e vendit përveç privilegjeve kanë obligime të rëndësishme për krijimin e ambientit të volitshëm komunikues shoqëror e institucional, duke ruajtur objektivat e larta në udhëheqje të shtetit.
Kurrsesi nuk guxojnë të mirren me tema të dyta e të treta të parëndësishme për vendin në përgjithësi.

Pozita, konkretisht LDK-ja, ka kritikuar kryekuvendarin Kadri Veseli se nuk ka ushtruar kompetencat e tij për mbarëvajte të rregullt të seancave, duke mos marr masat që ia lejon rregullora. Cili është mendimi juaj për punën e kryeparlamentarit në përgjithësi?

Mustafa:Secili nga udhëheqësit ka obligime institucionale, kryeparlamentari udhëheq nga një pozicion ku pjesë e vendimëmarrjes janë edhe vetë ata zëra që thoni ju. Besoj se po mësohemi ngadalë por sigurt që të jemi ne të suksesshëm në ecje drejt normalizimit institucional e shtetëror.

A duhet presidentja Atifete Jahjaga të thërras liderët politik të vendit për të gjetur një zgjidhje?

Mustafa: Besoj se situata nuk është ardh deri aty sa edhe Presidentja e vendit të involvohet.

Ju keni propozuar ndryshimin e koalicionit qeveritar që të tejkalohet bllokada. Çfarë keni menduar konkretisht, futjen e AAK-së në qeveri?

Mustafa: Unë nuk kam propozuar asgjë konkrete, vetëm kam paralajmëruar se liderët duhet të jenë të hapur për mundësi të reja zhvillimore, duke mos përjashtuar ndryshime në qeveri, qofshin ato me zvogëlim, zgjerim apo edhe vetëm ndryshime brenda koalicionit.

Jeni ndër deputetët e PDK-së që keni bërë thirrje më 2014 se Kosovës i duhet ‘koalicioni i madh’ PDK-LDK. Si e vlerësoni punën e deritanishme të koalcionit dhe a pritni të përfundoi mandatin ?

Mustafa: Koalicioni deri tani kryesisht ka arritur sukseset e dëshiruara. Jemi në një fazë të re të veprimit politik dhe se me ndryshimet e kohës nuk do të thotë se nuk jemi të kënaqur deri tani, por ne jemi para situatës kur na duhet edhe tutje të shtojmë dinamizimin e qeverisë drejt normalizimit shtetëror në përgjithësi, rendit, edukimit dhe zhvillimit në veçanti.

Sipas marrëveshjes PDK-LDK, president në vitin 2016 duhet të zgjidhet Thaçi. A besoni se do të ndodh një gjë e tillë apo ky do të jetë momenti i prishjes së koalicionit?

Mustafa: S’kam komente për këtë që kërkoni dhe më duket jo pikë e rëndësishme çështja e Presidentit.

Në rast se nuk gjendet një zgjidhje dhe vazhdon kundërshtimi i opozitës, a pritni që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme. Nëse po, a është PDK gati, dhe cila parti do të triumfonte?

Mustafa: Nuk konsideroj se jemi në krizë politike, jemi duke hulumtuar rrugët më të mira zhvillimore që do krijojnë kushte të domosdoshme që qytetarëve të vendit t’iu kthehet besimi se ne mundemi të krijojmë kushte për ecje të sigurt rrugës së zhvillimit, ku do ketë rend, ligj, edukim, punësim dhe perspektiva më të mira jetësore. Ne do ta mundësojmë këtë edhe atë shpejt dhe mbarë.

Një pyetje për fund: a duhet Thaçi edhe pas këtij mandati të udhëheq PDK-në, apo dalëngadalë Veseli po ngjitet në krye të partisë?

Mustafa: Nuk kam vërejt se diçka të re po kërkon elektorati i PDK-së, dhe nuk më duken tema serioze këto. Ne tani me përkushtim jemi duke punuar që qytetarëve t’ua kthejmë besimin në vendin e tyre dhe të krijojmë mundësi më të mira jetese për gjeneratat që po vinë.

Uroj të keni besim ju dhe qytetarët e vendit në fuqinë e vendit tonë.