Falja e borxheve deri më 1 shtator, parregullsi në Komunën e Prishtinës

Person fizik dhe juridik që kanë shuma të borxheve publike të pa shlyera për periudhën deri më 31 dhjetor 2008 ndaj Institucioneve shtetërore dhe Ndërmarrjeve publike mund të përfitojnë nga falja e borxheve publike deri më 1 shtator 2017. Falja e borxheve të tatimit në pronë në Komunën e Prishtinës është duke u përcjell me parregullsi.

Lajme

05/07/2017 13:21

Kanë mbetur edhe më pak se dy muaj që qytetarët mund të përfitojnë nga Ligji për faljen e borxheve. Auditori Gjeneral ka vërejtur që Komuna e Prishtinës po shoqërohet me parregullsi në këtë plan, shkruan lajmi.net.

Auditori ka vërejtur se, të hyrat nga tatimi në pronë, sistemi softuerik i të cilave menaxhohet nga Departamenti Qendror i Tatimit në Pronë, pranë MF, kohëve të fundit është vazhdimisht duke iu nënshtruar ndërhyrjeve në sistem për të harmonizuar ndikimet nga falja e borxheve dhe si proces është mjaft sfidues.

“Tek një lëndë e një tatimpaguesi, në bashkëpunim me zyrën komunale të tatimit në pronë kemi hasur në shuma kundërthënëse sa është saldo e borxhit sipas sistemit dhe sa do duhej të ishte sipas kalkulimeve manuale. Fatura sipas sistemit ka gjeneruar borxh të mbetur rreth 800€, derisa sipas kalkulimeve tona del të jetë rreth 1,300€. Për kalkulimet manuale për tatimpaguesit tjerë, ne nuk mund të ofrojmë siguri për vlerën e paraqitur të llogarive të arkëtueshme nga tatimi në pronë”, thotë Auditori për Komunën e Prishtinës.

Po ashtu, auditori ka gjetur që, Komuna inkason të hyra nga taksat në biznes dhe shuma e inkasuar në këtë kod ekonomik është mjaft e vogël (83,887 euro), derisa në pasqyrat vjetore financiare nuk është paraqitur borxhi i pa mbledhura nga këto biznese.

“Ky shqetësim është komunikuar me menaxhmentin, por konsolidimet e duhura nuk janë bërë ende”, thotë tutje Auditori.

Nga kjo, Zyra e Auditorit ka shfaqur rrezikun që, paraqitja jo e saktë e shpalosjeve shpie në një keq pohim të pozitës financiare dhe llogarive, dhe në vitet në vijim, mund të ndikojë opinionin e auditimit.

“Pjesa e tatimit në pronë është mjaft e ndjeshme për qytetarët, dhe gabimet e tilla, mund të kenë ndikim financiar ndaj obligimeve të qytetarëve. Andaj, kryetari duhet të siguroj se për të arkëtueshmet e taksave në biznes krijohet një grup pune që në hollësi do të analizonte gjendjen e këtyre llogarive, ku do të shqyrtonte evidentimin, faturimin dhe mekanizmat e inkasimit në mënyrë që në të ardhmen komuna të ketë bazë të mjaftueshme ligjore për ndjekje të bizneseve të papërgjegjshme në pagesën e kësaj takse. Mangësitë e identifikuara në sistemin e tatimit në pronë të diskutohen me departamentin përkatës pranë MF në mënyrë që qytetarët të kenë një gjendje të saktë për obligimet tatimore ndaj komunës”, ra rekomanduar Auditori. /Lajmi.net/