Erzin: KPM është e ngathët, aplikon standarde të dyfishta ndaj operatorëve kabllor

Në një intervistë për TV21, drejtori ekzekutiv i kompanisë IPKO, Robert Erzin ka folur për investimet e jashtme që i ka bërë IPKO, ambientin e biznesit, punën e rregullatorëve të tregut, dhe shpeshherë mungesën e efikasitetit të këtyre institucioneve në zbatimin e ligjeve dhe akteve nën-ligjore.

Lajme

26/01/2016 11:56

Erzin u fokusua në punën e dobët të Komisionit për Media (KPM) dhe foli për standardet e dyfishta që ky institucion aplikon ndaj operatorëve të rrjetit kabllor të TV.

“Ne jemi ndër operatorët kabllor që sjellim përmbajtjen më të mirë në TV, ndërsa në anën tjetër në treg ka shumë operatorë tjerë që operojnë jashtëligjshëm, dhe kjo gjendje paraqet një problem të madh për ne, që kemi bërë gjitha investimet e duhura për të arritur në këtë nivel” ka thënë Erzin.

“KPM ka një kujdes të shtuar ndaj nesh si IPKO, por nuk reagon aspak në rastet kur ne kemi ankesa për konkurrencën jolojale me të cilën përballemi në treg”

“Për dallim prej tyre, ARKEP – si rregullatori tjetër i tregut është treguar shumë më efikas, në krahasim me KPM-në, e cila është e ngathët në adresimin e shqetësimeve tona” ka vazhduar më tej Erzin.

Erzin ka folur edhe për tregun mobil, në të cilin IPKO ka shënuar rritje gjatë gjithë vitit 2015.

Ai tha se përkundër rrethanave të tregut dhe trendit global të telefonisë mobile, i cili është në rënie, IPKO e ka përmbyllur vitin 2015 me sukses të rëndësishëm.

Të hyrat e përgjithshme të kompanisë IPKO në 2015 kanë qenë të përafërta me ato të vitit 2014, ndërsa numri i përdoruesve të telefonisë mobile ka shënuar një ngritje domethënëse, duke bërë që IPKO të regjistrojë pjesëmarrjen e saj më të madhe në treg, ndonjëherë – duke iu afruar pjesëmarrjes prej pothuajse 40% të tregut mobil në Kosovë.