Të dhëna të frikshme: 80 përqind e viktimave të trafikimit në 4 vitet e fundit janë fëmijë

Fëmijët në situatë rruge të cilët kërkojnë lëmoshë vazhdojnë te jenë sfidë për institucionet e Kosovës. Lajmi.net nëpërmjet episodit të radhës të dokumentarit “PASOJË” ka trajtuar këtë fenomen nga aspekte të ndryshme institucionale, sociale, të sigurisë e të trajtimit të këtij fenomeni.

Lajme

20/06/2022 18:35

Pajtim Zeqiri nga “Terre des hommes – Kosovë” ishte pjesë e episodit të radhës të dokumentarit “PASOJË” ku është trajtuar problemi i fëmijëve në gjendje rruge. Ai është shprehur se në Prishtinë janë identifikuar 127 fëmijë në gjendje rruge, ndërsa është shprehur se për komuna të tjera të dhënat nuk i kanë të plota.

“Në fakt situata e fëmijëve që frekuentojnë rrugën ose që janë në rrugë është në gjendje shqetësuese për shkak të numrit të madh të fëmijëve që frekuentojnë rrugën dhe për shkak të rreziqeve të ndryshme ndaj të cilave ata ekspozohen çdo ditë. Sipas të dhënave që i kemi si organizatë, besohet që diku vitin e kaluar, 127 fëmijë i kemi identifikuar në situatë rruge vetëm në komunën e Prishtinës, Obiliqit dhe Fushë Kosovës. Për komuna të tjera nuk i kemi të plota, i kemi të dhënat vetëm për këto 3 komuna sepse realisht ne ofrojmë përmes qendrës ditore ne ofrojmë shërbime të specializuara për fëmijët në situatë rruge përmes një modeli që e kemi zhvilluar, shërbime të specializuara për fëmijë rruge përfshijnë një gamë të gjerë të shërbimeve. Qasja është holistike dhe fillon me shërbimet bazike siç janë ushqimi dhe veshmbathja, pastaj me këshillim psikologjik, me aktivitete të ndryshme psikosociale, rekreative si dhe zhvillimin e programeve të ndryshme edukative siç është për shembull mësimi plotësues.”, thotë Zeqiri.

Zeqiri gjithashtu është shprehur se kryesisht prindërit dhe familjet i detyrojnë fëmijët të kërkojnë lëmoshë në rrugë.

“Në fakt, është një rrjedhë pak a shumë e njëjtë, e njëjtë. Megjithëse pas viteve të fundit ndodh që është një numër më i madh i fëmijëve vendorë që janë në rrugë, krahasim gjithmonë me fëmijët që vijnë nga vendet e tjera, përkatësisht Shqipërisë. Sa i përket kush i detyron ata të dalin në rrugë, kryesisht janë familjet, prindërit, që i nxisin fëmijët të frekuentojnë rrugën, të kërkojnë lëmoshë në mënyrë që të sigurojnë të ardhura të mjaftueshme familjare.Po mendoj që ndoshta duhet një përpjekje më e madhe e krejt akterëve qofshin ata institucional apo jo-institucional, një koordinim më i mirë, një hartim i një programi për fuqizimin socioekonomik të familjeve në mënyrë që ata të dalin nga rruga dhe mënyra më e mirë në qoftë se arrihet një familjar i tyre të punësohet diku dhe kësisoj që fëmijët e tyre të mos kenë nevojë të dalin në rrugë, mirëpo në vend të rrugës të fillojnë të integrohen sërish në shkollë.”, vijon ai.

Zeqiri jep statistika të frikshme, teksa potencon se nga të dhënat zyrtare të trafikimit në 4 vitet e fundit, prej 81 viktimave, 80 përqind e viktimave të trafikimit janë fëmijët.

“Fëmijët që janë në situatë rruge janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshme, ndaj formave të ndryshme të shfrytëzimit dhe trafikimit. Të dhënat zyrtare thuhet që prej 81 viktimave të trafikimit që janë identifikuar në 4 vitet e fundit, 61 prej tyre janë fëmijë, kështu me përqindje i bie që 80 përqind e viktimave të trafikimit në Kosovë janë fëmijë. Për këtë arsye nevojitet që të kemi fushata vetëdijësuese në mënyrë që të paranalohet ky fenomen dhe kjo dukuri.”, shprehet Zeqiri.

Sa i përket suksesit të organizatës, ai thotë se deri më tash 9 raste kanë rezultuar me sukses kur fëmijët janë larguar nga rruga.

“Po deri tash i kemi të evidentuara 9 raste të fëmijëve që janë larguar nga rruga. Këtu duhet një përpjekje e gjatë, nuk është diçka që mund të zgjidhet brenda ditës, brenda muajit, por duhet një punë e vazhdueshme, një përpjekje e përbashkët e krejt akterëve në mënyrë që të fillohet edhe të reduktohet numri i fëmijëve që frekuentojnë rrugën. Këtu është problemi më i madh se gjithmonë nuk është vetëm 1 akter dhe nuk mund t’ia lëmë përgjegjësinë vetëm 1 akteri, do të thotë, përgjegjësia është gjithmonë e shpërndarë dhe nëse nuk ka një koordinim në kuptimin e zbatimit të përgjegjësive, atëherë natyrisht që edhe rezultatet nuk mund të arrihen. Mbase çfarë ka nevojë duhet të bëhet një monitorim i rregullt i punës në secilin institucion dhe llogaridhënie nëse është realizuar ose jo veprimi dhe pse nuk është bërë. Pavarësisht se gjithçka në lidhje me punën me këta lëmoshë-kërkues zhkon përmes qendrave për punë sociale, ky institucion në shumicën e qyteteve përballet me mungesa, që e limitojnë rezultatin pozitiv qoftë në këtë cështje apo tjerat që trajtohen përmes tyre.”, thotë ai. /Lajmi.net/