Dy vjet burg dhe gjobë për shtetasin e Shqipërisë që pranoi fajësinë për shitje dhe shpërndarje të marihuanës

Gjykata Themelore në Mitrovicë, të mërkurën, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dy vjet burgim si dhe njëmijë euro gjobë, të akuzuarin për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja, dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotropike dhe analoge”, Esat Matmuja.

Lajme

28/08/2019 16:58

Sipas aktgjykimit, nëse i akuzuari nuk e paguan gjobën, dënimi do t`i zëvendësohet me burgim, ku 20 euro do të jenë të barabarta me një ditë burgim.

Krahas kësaj, gjykata të akuzuarit i ka konfiskuar telefonin “Iphone 5” si dhe substancën narkotike, të llojit marhiuanë.

Po ashtu, i pandehuri është obliguar që të paguajë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 100 euro, ndërsa në emër të kompensimit të viktimave shumën prej 50 euro.

Ky aktgjykim, është shpallur pasi paraprakisht në seancën e shqyrtimit fillestar, i pandehuri Matmuja e ka pranuar fajësinë.

Gjykatësi Beqir Halili, ka njoftuar të akuzuarin me të drejtën e tij në ankesë brenda afatit ligjor sa i përket lartësisë së dënimit.

Në këtë rast, të akuzuar janë edhe Demokrat Ferizi, Etmond Matmuja, Arbnor Beqiri dhe Kreshnik Ferizi, mirëpo që këta nuk e kanë pranuar fajësinë, andaj me propozimin e mbrojtësit të pandehurit Esat Matmuja, avokatit Haxhi Millaku, është veçuar procedura penale për të, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 28 qershor 2019, kishte ngritur aktakuzë, ndaj Esat Matmuja, Demokrat Ferizi, Etmond Matmuja, Arbnor Beqiri dhe Kreshnik Ferizi.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Esat Matmuja së bashku me të pandehurit Demokrat Ferizi, Etmond Matmuja, Arbnor Beqiri dhe Kreshnik Ferizi, më 23 nëntor 2018, duke vepruar në grup kishte transportuar substance narkotike – marihuanë në sasi prej 5.905 gramë, me qëllim të shpërndarjes dhe shitjes.

Siç thuhet në aktakuzë, në fshatin Broboniq, së pari kishin ndaluar veturën “Golf 6”, të cilën e kishte drejtuar Demokrat Ferizi, ku si pasagjer kishin qenë Etmond Matmuja dhe Arbnor Beqiri, pas kësaj policia kishte ndalur edhe veturën tjetër “Golf 5”, të cilën e kishte drejtuar Esat Matmuja, në të cilën policia gjejnë substancën narkotike.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Esat Matmuja, kishe marrë substancën narkotike në një puset afër pikës kufitare të Vërmicës, e sjellë nga Republika e Shqipërisë, ku i pandehuri Luan Kani, për të cilën ishte ndarë procedura penale, kishte kontaktuar përmes Facebook me Demokratin, ku ky i fundit i kishte kërkuar Luanit që t`i dërgojë një person me emrin Azem, mirëpo, që ky i kishte dërguar  Esat Matmujen.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Esat Matmuja, fillimisht kishte kontaktuar me Demokratin duke përdorur fjalët “për gjashtë dele hajde nesër”, pra me një komunikim të kamufluar duke aluduar në substance narkotike, me ç’ rast fillimisht më 22 nëntor 2018, ishin takuar në Prizren, me të pandehurin Arbnor dhe Demokrat, ku ishin dakorduar për transportin e substancës narkotike, e cila ishte sekuestruar nga policia, më 23 nëntor 2018.

Me këtë, Esat Matmuja, akuzohet se ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja, dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotropike dhe analoge”, nga neni 273 par 2 lidhur me nenin 281 para 1 nën par 1.1 dhe 1.9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.