Dy të akuzuarve për shpëlarje parash u konfiskohet pasuria rreth 1 milion euro

Gjykata e Apelit, ka vërtetuar dënimin me burgim ndaj dy të akuzuarve, F.S. dhe M.S, si dhe ka sekuestruar pasurinë e tyre prej rreth 1 milion euro.

Lajme

03/02/2020 14:22

Departamenti Special i Gjykatës së Apelit, ua ka vërtetuar dënimet me burgim me kusht prej dy vjetësh të akuzuarve F.S. dhe M.S.

Atyre gjithashtu,  u është vërtetuar edhe dënimi plotësues i shqiptuar nga ana Gjykatës Themelore në Prishtinë, për konfiskimin e pasurisë/ sendeve të përfituara nga kryerja e veprës penale në shumën prej 946,820.84 eurove.

“Aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, i datës  28.03.2019, është ndryshuar vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale dhe atë veprimet e të pandehurve  nga “Shpëlarja e parasë  në bashkëkryerje” sipas nenit 308 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës  (KPRK) dhe nenit 32 par.2 nënpara.2.1 dhe 2.2 të Ligjit mbi parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimin e terrorizmit, janë ri-cilësuar në “Shpëlarja e parasë  në bashkëkryerje” sipas nenit 308 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës  (KPRK) dhe nenit 56  par.1, pika 1.1 dhe 1.2 e  Ligjit mbi parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimin e terrorizmit”, thuhet në njoftim.

Gjithsesi ky rivlerësim juridik nuk ka ndikuar në dënimin e të akuzuarve.

Në çështje tjera aktgjykimi i ankimuar ka mbetur i pa ndryshuar. /Lajmi.net/