Dy familje evakuohen, uji i tepërt i liqenit të Batllavës shkakton vërshime

Shkrirja e menjëhershme borës dhe reshjet e shiut, kanë shkaktuar ngritjen e nivelit të ujit dhe daljen nga shtrati të lumenjve dhe përroskave, duke shkaktuar vërshime në disa lokalitete të Komunës së Podujevës.

Lajme

04/03/2018 17:31

Komuna e Podujevës, përmes një komunikate për media, ka thënë se derisa të dielën ka rënë niveli i ujit në të gjithë lumenjtë, për shkak të shkarkimit të madh të ujit nga Liqeni i Batllavës, është ngritur niveli i lumit Batllava, i cila ka shkaktuar vërshime në disa fshatra.

Vërshimet e shkaktuara gjatë ditës së shtunë, si pasojë e shkrirjes së borës dhe reshjeve të shiut, thotë Komuna, kanë bërë uji të depërtojë edhe në oborre dhe shtëpi në një lagje periferike të qytetit dhe në disa fshatra.

“Pavarësisht vëllimit të madh të ujit, që ka shkaktuar daljen e lumenjve dhe përroskave nga shtretërit, gjatë fundjavës nuk ka asnjë lokalitet apo lagje të bllokuar në komunën e Podujevës. Ekipi komunal i emergjencave, në kuadër të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe kompania e kontraktuar për intervenim me mekanizëm, gjatë gjithë kohës janë në teren për të intervenuar në zhbllokimin e shtretërve të lumenjve, evitimin e dëmeve dhe evakuimin eventual të qytetarëve”, thotë Komuna e Podujevës.

Për të përcjellë nga afër gjendjen e krijuar, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, bashkë me ekipin e emergjencave, dje dhe sot ka vizituar zonat e prekura nga vërshimet.

Veliu me këtë rast u ka bërë thirrje qytetarëve nga zonat e prekura nga vërshimet të bashkëpunojnë me ekipet komunale dhe të kontribuojnë që bashkërisht të tejkalohet kjo situatë me sa më pak dëme.

Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, thotë se gjatë vizitës në terren të dielën është vërejtur se ka rënë niveli i ujit në të gjithë lumenjtë, përveç në lumin që rrjedh nga Liqeni i Batllavës, ku ka ngritje të nivelit si pasojë e shkarkimit të ujit nga liqeni.

“Si pasojë e ngritjes së nivelit në këtë lumë uji ka depërtuar në oborrin e shkollës së këtij fshati dhe ka shkaktuar vërshime në fshatrat Batllavë, Gërdoc dhe Bellopojë”, thuhet në komunikatën e Komunës së Podujevës.

Tutje, kjo komunë thotë se gjatë ditës së shtunë ekipi komunal i emergjencave bashkë me kompaninë e kontraktuar ka intervenuar në disa raste në zhbllokimin e rrjedhave të lumenjve, veçmas te urat.

Vërshimet kanë shkaktuar probleme më të mëdha për banorët e lagjes “Tovërlani” në hyrje të qytetit, Sveçël, Balloc, Shtedim dhe fshatra të tjera përgjatë rrjedhave të lumenjve.

Në dy raste ekipi i emergjencave ka bërë evakuim të përkohshëm të dy familjeve, si masë preventive.

“Banorët e qytetit dhe të fshatrave të komunës ë Podujevës të dielën po përballen edhe me reduktime të ujit të pijshëm, për shkak të kufizimit të kapaciteteve përpunuese të ujit të pijshëm në Fabrikën e Ujit në Shajkoc, si pasojë e ndotjes së ujit të Liqenit të Batllavës. Bashkë me ekipin komunal të emergjencave është edhe komisioni që po bën vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet”, thekson kjo Komunë.

“Pavarësisht vëllimit të madh të ujit, të shkaktuar nga shkrirja e shpejtë e borës dhe reshjet e shiut, me investimet e bëra nga Komuna në zgjerimin e lumenjve pastrimin është mënjanuar rreziku i vërshimeve të përmasave më të mëdha. Gjatë katër viteve të shkuara Komuna e Podujevës ka investuar në zgjerimin dhe pastrimin e shtretërve të lumenjve, në një gjatësi prej 45 km. Ndërsa, për këtë vit janë planifikuar afër 300 mijë euro investime në pastrimin dhe zgjerimin lumenjve Llap dhe Dumnica në një gjatësi prej afër 15 km”, ka përfunduar Komuna e Podujevës.