Dukesha e Cornwall-it dëgjoi rrëfimet e të dhunuarve në luftën në Kosovë

Lartmadhëria e Saj Dukesha e Cornwall-it takon të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë konfliktit dhe ato që punojnë në emër të tyre.

Lajme

19/03/2016 19:08

Sot Lartmadhëria e Saj Dukesha e Cornwall-it takoi të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë konfliktit në Kosovë.

Të pranishëm në takim, të organizuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ishin edhe përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile që kanë punuar pa pushim në emër të të mbijetuarave: Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Medica Gjakova dhe Qendra për Promovimi i të Drejtave të Grave.

Në takim, Dukesha dëgjoi dëshmi të fuqishme nga të mbijetuarat për përvojat e tyre.

Të mbijetuarat folën për frikën e tyre se do të refuzohen nga familjet dhe komunitetet e tyre dhe për sfidat me të cilat ende po përballen në qasjen në drejtësi dhe arritjen e pavarësisë ekonomike.

Dukesha gjithashtu dëgjoi për punën e çmueshme që po bëhet nga organizatat e shoqërisë civile dhe nga Këshilli Kombëtar i Presidentes në emër të të mbijetuarave, dhe në lidhje me shpresat e të mbijetuarave për të ardhmen.

Para takimit, Presidentja Jahjaga i tregoi Madhërisë së saj dy funde që u dhuruan si pjesë e ekspozitës “Mendoj për ty” të mbështetur pjesërisht nga Ambasada Britanike.

 

Pas takimit, Feride Rushide nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës tha:

“Jam shumë e kënaqur që Madhëria e saj kishte mundësinë të dëgjojë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga viktimat e dhunës seksuale.  Në vitet e fundit, me mbështetjen e Presidentes dhe të tjerëve, duke përfshirë edhe Ambasadën Britanike, ne kemi bërë rrugë të gjatë në Kosovë në adresimin e këtyre çështjeve, por ka ende shumë punë për t’u bërë për të siguruar që të mbijetuarat mbështeten e nuk stigmatizohen”.

“Interesi i treguar nga dukesha Cornëall është një mesazh që këto çështje të vështira nuk mund të injorohen. Ky ishte takim emocional në lidhje me ngjarjet traumatike. Por na duhet t’i njohim traumat e së kaluarës në mënyrë që të pajtohemi me to, t’i mbështesim të mbijetuarat dhe ta arrijmë pajtimin”, tha Mirlinda Sada, shefe e Medica Gjakova./ Lajmi.net