Ditarë digjitalë dhe administrim elektronik në shkollat e Prishtinës (Video)

Në pesë shkolla të kryeqytetit, nga ky vit shkollor do të nisë zbatimi i pilot-projektit të ashtuquajtur SOKRATES, që mundëson administrim elektronik të të dhënave të nxënësve dhe të mësimdhënësve. Po ashtu, notimi do të bëhet në ditarë elektronikë.

Lajme

28/08/2015 14:43

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, doli të premten në një konferencë shtypi, për të prezantuar dy projektet së bashku me drejtoreshën e Arsimit, Arbërie Nagavci, dhe përfaqësuesit e kompanisë austriake që do ta realizojë teknikisht projektin.

“Këtë pilot projekt do ta zbatojmë në pesë shkolla të Prishtinës gjatë vitit shkollor 2015/16. Që të dy këto projekte janë implementuar suksesshëm në Republikën e Shqipërisë. Këtë praktikë mendojmë ta zbatojmë edhe në komunën e Prishtinës me qëllim që ta bëjmë më të lehtë menaxhimin e shkollave”, tha Ahmeti.

Përmes ditarëve elektronikë, u tha se do të mundësohet një komunikim shumë më efikas midis mësimdhënësve dhe prindërve lidhur me rezultatet e nxënësve në shkolla, ndërsa përmes programit SOKRATES synohet modernizimi i administratës shkollore, respektivisht administrimi elektronik i të dhënave të nxënësve dhe mësimdhënësve.

Menaxheri i kompanisë austriake “Bit Group”, Stefan Duss e falënderoi kryetarin e Komunës së Prishtinës për vizitën në Gratz dhe për dhënien e mundësisë së pilotimit të këtij projekti.

“Pilotimi i programit SOKRATES dhe ditarëve elektronikë do të fillojë gjatë javës së ardhshme ndërsa qëllimi është testimi i efikasitetit të këtyre projekteve”, tha Duss, i cili shtoi se përfaqësia e kompanisë së tij në Kosovë bashkë me stafin do ta përkrahë zbatimin e këtij projekti, me shpresën se ky projekt do të mundësojë një bashkëpunim afatgjatë edhe me projekte të tjera në Komunën e Prishtinës.

Ndërsa, drejtoresha Arbërie Nagavci tha se një projekt i tillë ka qenë synim i Komunës së Prishtinës. Ajo tha se në kohën e zhvillimit të teknologjisë ky është një hap përpara që bëhet nga Komuna e Prishtinës.

Shkollat që do ta zbatojnë këtë pilot projekt janë “Xhemajl Mustafa”, “Hilmi Rakovica”, “Dardania” dhe gjimnazet “Xhevdet Doda” dhe “Gjin Gazulli”.

Javën e ardhshme Drejtoria Komunale e Arsimit do të prezantojë edhe punimin për mësimin tërëditor që do të diskutohet gjatë muajit shtator me prindër dhe mësimdhënës në të tri shkollat e Komunës së Prishtinës ku do të fillojë së zbatuari si projekt.