Dita e fuqisë së qytetarëve

Dita e zgjedhjeve është ditë kur ndodhë shpërndarja e fuqisë politike në demokraci. Kjo fuqi pastaj duhet të përkthehet në stabilitet politik dhe ekonomik për të gjithë.  

Lajme

08/06/2017 09:30

Fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 11 qershorit, së paku bazuar në rrjedhën e deritashme të saj, u karakterizua me tiparet që i kanë munguar skenës politike vendore tash e tre vjet. Të gjithë politikanët dhe entitetet politike shqiptare që janë në garë për njëqind mandatet e Kuvendit të Kosovës që i takojnë shqiptarëve, janë përqëndruar në temat që janë prioritet i qytetarëve, ndërsa ato kanë qenë thuaja krejtësisht të anashkaluara nga ana e tyre në mandatin e kaluar të Kuvendit dhe të Qeverisë.

Zatën, asgjë më shumë se kjo fushatë, me këtë fokusim, por edhe me mënyrën se si po bëhet oferta për qytetarët, me maturinë mbizotëruese, nuk e konfirmon huqjen totale të politikës kosovare të tri viteve të fundit. Megjithatë, dikush menjëherë këtu mund ta prezentojë kundërargumentin e tij. Ai mund të na rikujtojë të gjithëve që edhe në majin, qershorin e vitit 2014, kemi qenë dëshmitarë të një fushate parazgjedhore shumë të mirë, pa kurfarë incidenti, me zgjedhjet, pastaj, të 8 qershorit, të cilat konsensualisht u vlerësuan si më të mirat që prej pavarësisë së Kosovës e këndej. Ngjarjet pas këtyre zgjedhjeve, krijuan një krizë të paprecedent parlamentare, që humbën pastaj gjithë atë vit për politikën dhe qytetarët e Kosovës. Nuk ka si të mos ndërlidhet ‘ngërçi politik’ i verës dhe vjeshtës së atij viti, me mësymjen/ ikjen e dhjetëra mijëra shqiptarëve të Kosovës kah Perëndimi që ndodhi në dy muajtë e fundit të atij viti dhe në dimrin e vitit vijues.

Mësimi i parë nga kjo përvojë e hidhur politike e atij viti, u shfaq pak javë më parë kur për herë të parë në historinë e demokracisë parlamentare në Kosovë, u krijuan koalicionet e mëdha parazgjedhore, pikërisht me qëllim të sigurimit të një fitore të pastër zgjedhore, që do të shmangte zvarritjen disamuajshe të krijimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Mësimi i dytë që në realitet ka dalë jo vetëm nga këto zgjedhje, por edhe nga ato më mëparmet është që në Kosovës duhet domosdoshmërisht të përgatitet një Reformë e sistemit zgjedhor, që do t’i evitonte të metat e shumta të këtij ekzistuesit. Sistemi aktual zgjedhor me Lista të hapura por me Kosovën si njësi të vetme zgjedhore, me modelin e pastër proporcional, nuk është sistem të garanton stabilitet parlamentar. Ose duhet të mbyllen Listat, duke ruajtur Kosovës si njësi të vetme zgjedhore, ose duhet ndarë Kosovën në shumë zona zgjedhore.

Mësimi i tretë që në fakt vlenë për të gjitha demokracitë parlamentare, edhe për këtë tonën që për një vjet mbushën moshën madhore  (të 18 vjetëshit), është ai që na tregon që dita e zgjedhjeve nuk është farë Dite Kijameti, as ditë gjykimi, kur fituesit dhe humbësit në to, ndahen me një humnerë të pakalueshme. Në ditën e zgjedhjeve, në rastin tonë, këtë të diel, me 11 qershor, ndodhë dukuria e zakonshme në demokracitë parlamentare. Politikanët zhveshen tërësisht nga fuqia e tyre, qytetarët veshen me një fuqi që e ka trajtën e një vote të vetme, që është letër me vlerë që shpreh vullnetin e lirë të tyre, për ta ndarë fuqinë dhe përgjegjësinë politike në vend. Pra, dita e zgjedhjeve është ditë kur ndodhë shpërndarja e fuqisë politike në demokraci. Ky është dallimi thelbësor i një demokracie me sistemet e tjera, kur fuqia politike nuk ka legjitimitet të mirëfilltë demokratik, kur nuk buron nga qytetari.

Natyrisht, si në gjithë botën demokratike, ashtu edhe në Kosovë, çelësi i pajisjes së politikanëve dhe partive politike me mandat të ri qeverisës, është krijimi i lidhjes apo raportit të besimit në mes të ofertës/ premtimeve të shumta që janë të rëndomta kudo  (shkalla e maturisë në këto premtime është reflektim e gjendjes reale në atë vend), dhe qytetarit apo votuesit.

U tha më parë që vota e secilit qytetar në zgjedhje, është e njejtë, ka peshë të njejtë, dhe i ngjet një letre me vlerë që mbushë ‘konton politike’ e një partie a një koalicioni, që pastaj Qeveria e re të prodhojë vlerë politike dhe sociale për të gjithë qytetarët.

Në sistemin bankar të një vendi, sigurimi i kredisë mbërrihet me kategorinë e hipotekës, që shmang rreziqet e dështimit të huamarrësit. Zatën, politikanët në demokraci që fitojnë në zgjedhje, janë vetëm huamarrës të vullnetit politik të qytetarëve. Fatkeqësisht, në politikë garancë të formës së hipotekës nuk ka. Gjithçka ndërtohet mbi besimin. Mbi fjalën e dhënë./Lajmi.net/