Diploma Bachelor për 100, ajo e Master për 250 euro

Studentëve të universiteteve publike e private për 100 euro po u ofrohen punimet e temave të diplomave për nivelin Bachelor, përderisa për Master çmimi arrin në 250 euro.

Lajme

15/03/2015 09:08

Njoftimet për shërbimet që i ofrojnë ata gjenden edhe në hapësirat e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku studentëve u jepen sqarime se si mund ta marrin një punim diplome me pagesë, shkruan gazeta Zëri.

Po ashtu, edhe në rrjete sociale ekzistojnë faqe dhe grupe të caktuara që shërbejnë për të rënë në kontakt me personat që i kryejnë këto shërbime me pagesë.

Profesorët universitarë thonë se në këtë dukuri mund të kontribuojë edhe numri i madh i studentëve, pasi që kur një profesor ka shumë studentë nën mentorim, ai e ka të vështirë të zbulojë nëse punimi është përgatitur nga studenti, apo ai është marrë i gatshëm.

Ky është një sinjal se çfarë niveli të studimeve kemi në Kosovë, përkatësisht çfarë kuadrosh po nxjerrim, tha një ekspert i arsimit, duke shtuar se nevojitet një angazhim më i madh i Policisë dhe i Prokurorisë për të hetuar këtë veprimtari ilegale. /Zëri/