Dinosaurët u “vetëvranë”, studimi: Zhdukja e tyre nisi para rënies së asteroidit

Teoria kryesore për mënyrën sesi u zhdukën dinosaurët nga Toka është ajo që fajëson për këtë një asteroid që goditi shtëpinë tonë 65 milionë vite më parë dhe shfarosi thuajse gjithçka.

Fun

08/02/2018 11:28

Por, përsa kohë është një teori, ajo edhe mund të kontestohet. Një teori e re ka dalë nga studiuesit e Universitetit të Readingut në Britaninë e Madhe.

Sipas tyre, dinosaurët ishin thuajse të zhdukur në momentin që Toka u godit nga asteroidi. Për këtë zhdukje, teoria më e re fajëson vetë dinosaurët.

Grupi i shkencëtarëve që qëndron pas këtij pretendimi thonë se edhe nga analizat e fosileve nuk sigurohen shenja të zhdukjes nga një përplasje a shpërthim i fuqishëm, transmeton Top Channel.

“Dinosaurët ishin shumë të suksesshëm, për të zezën e tyre. U përhapën dhe mbizotëruan në Tokë për rreth 200 milionë vite, duke e mbypopulluar planetin tonë dhe shteruar ushqimet për mbijetesë”, thotë bashkëautori i studimit, Chris Venditti.

Venditti shton se në atë kohë, dinosaurët ishin në krye të zinxhirit ushqimor, por dështuan që të përshtateshin dhe pasi u përhapën në gjithë territorin e Tokës, për ta nisi zhdukja si pasojë e mungesës së ushqimit dhe luftës për mbijetesë mes llojeve.