Dikoviq flet për ekstremizmin fetar në Kosovë, anashkalon akuzat që i bëhen për krime lufte

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviq, është përpjekur të heq paksa vëmendjen e mediave dhe të opinionit nga akuzat që i bëhen atij për krime lufte që dyshohet t’i ketë kryer në Kosovë. 

Lajme

09/02/2015 14:18

Dikoviq është akuzuar së fundi nga Fondi i të Drejtës Humanitare për krime lufte në Kosovë, respektivisht si përgjegjës i drejtpërdrejtë për krimet e luftës të kryera në zonën e përgjegjësisë së Brigadës 37 të motorizuar të Ushtrisë së Jugosllavisë që komandohej prej tij.

Duke komentuar mbi gjendjen e sigurisë në Serbi, Dikoviq, në një intervistë për të përditshmen Danas, ka thënë se rreziku më i madh Serbisë i vije nga ekstremizmi fetar në Kosovë, gjë e cila është dëgjuar me dekada nga autoritetet në Beograd. Madje, sipas Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, ekstremizmi fetar në Kosovë është nxitur dhe vazhdon të nxitet dhe sponsorizohet nga sherbimi i fshehtë serb, me qëllim shkatërrimin e harmonisë ndërfetare midis shqiptarëve, një vlerë kjo historike dhe shumë e çmueshme e kombit shqiptar.

Dikoviq është ndalur shumë pak për të treguar situatën në Serbinë jugore, rajonin e Sanxhakut, pasi sipas statistikave ndërkombëtare, aty ka dyfish më shumë shtetas të saj që i janë bashkangjitur ISIS-it se sa shtetas të Kosovës.

Shefi i Ushtrisë Serbe, i cili e quan Kosovën krahinë të Serbisë, e ka vlerësuar bashkëpunimin me KFOR-in, që sipas tij është korrekt e profesional dhe po zhvillohet në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“KFOR është faktor që garanton stabilitet në Kosovë, ndërsa institucionet tjera në Kosovë që prezantohen si organe të sigurisë, nuk e kanë as mandatin dhe as kapacitetin për të qenë të tilla”, ka thënë Dikoviq, i cili është një prej zyrtarëve serbë që ende mbanë të fshehura të dhënat që mund të zbardhin fatin edhe të gati 3000 perosnave, shumica civilë shqiptarë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.  

Fondi i të Drejtës Humanitare thotë se ka dokumente që tregojnë qartë se në vrasjen e civilëve shqiptarë në Rrezallë dhe Çikatovë më 1999, kanë marrë pjesë ushtarët e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë serbe, komandant i së cilës asokohe ishte shefi aktual Shtatmadhorisë së ushtrisë serbe, Dikoviq. /lajmi.net/