Dënime deri në 9 vjet burgim për të kthyerit nga Siria

Të kthyerit nga Siria janë duke u hetuar për “Pjesëmarrje në luftëra të huaja”.

Lajme

20/05/2019 10:23

Gratë kosovare tregojnë se si kishin vendosur të shkojnë në zonat e konfliktit në Siri dhe në Irak, duke iu bashkëngjitur organizatave terroriste.

Madje disa treguan se si burrat u kishin thënë se po shkojmë për pushime verore, ndërsa kishin përfunduar në luftë, shkruan “Gazeta Zëri”.

Personat që janë kthyer nga Siria po hetohen për “Pjesëmarrje në luftëra të huaja”. Prokurori Sylë Hoxha ka thënë për gazetën “Zëri” se për veprimet e tilla ata mund të marrin dënime deri në 9 vjet burg.

“Personat që janë kthyer nga Siria janë duke u hetuar për ‘Pjesëmarrje në luftëra të huaja dhe terrorizëm’. Kryesisht dënimet që mund t’i marrin këta persona të cilët kanë qenë pjesë e organizatave terroriste sillen prej 3 deri në 8 vjet dhe prej 5 deri në 9 vjet burg”, ka thënë Hoxha.

Burrat, por edhe gratë që janë kthyer nga Siria janë aktualisht në procedurë penale. Katër burrat po vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim, përderisa gratë aktualisht janë në arrest shtëpiak, i cili do të zgjasë një muaj derisa të merret një vendim tjetër, i cili do të varet nga hetimet që po i zhvillon Prokuroria.