Deklarata e BE-së për Trepçën, po konsiderohet skandaloze dhe cenuese ndaj sovranitetit të Kosovës

Analistët dhe njohësit politikave ndërkombëtare kanë reaguar ndaj deklaratës së Zëdhënëses së Bashkimit Evropian (BE), Maja Kocijançiq e cila është shprehur se statusi i Treçës duhet të zgjidhet nëpërmjet marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Lajme

05/02/2019 23:15

E gjithashtu ndaj kësaj deklarate ka reaguar edhe Sindikata e Punëtorëve të Trepçës.

Kocijançiq sot ka theksuar se “të gjitha çështjet e hapura mes dy palëve duhet të zgjidhen nëpërmjet finalizimit të dialogut”.

Kështu ajo gjithashtu ka shtuar se kjo duhet të bëhet në saje të arritjes së normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në lidhje me deklaratën e saj kanë reaguar edhe krerët e shtetit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e kryeparlamentari Kadri Veseli, shkruan lajmi.net.

Haradinaj nëpërmjet një postimi në Facebook është shprehur se kjo deklaratë e Kocijançiq për mediat serbe është e papranueshme dhe si e tillë e cenon sovranitetin e Kosovës.

Ai gjithashtu ka shtuar se Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe se Kosova nuk do të lejoj krijimin e temave false për dialog.

Tutje, në lidhje me këtë ka reaguar edhe kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli.

Veseli po ashtu nëpërmjet Facebookut ka reaguar ashpër kundër deklaratës së zyrtarës së BE-së, duke thënë se Trepça as nuk ka qenë dhe as nuk është çështje e dialogut me Serbinë.

“Me këtë gjuhë, BE është duke e rrënuar çdo perspektivë të dialogut dhe fqinjësisë së mirë”, ka thënë tutje Veseli në reagimin e tij.

E këtë reagim të BE-së zyrtare, skandaloz dhe cenues ndaj sovranitetit të Kosovës po e konsiderojnë edhe njohësit e çështjeve politike dhe ndërkombëtare.

Arton Demhasaj për lajmi.net e ka quajtur skandaloz deklaratën e Maja Kocijançiq e gjithashtu është shprehur se kjo tregon në një mënyrë ose tjetër që BE vendos për sovranitetin e Kosovës.

“Mendoj është deklarim skandaloz që tregon në një mënyrë ose në një tjetër që sovraniteti në Kosovë nuk qenka nga populli, por nga Bashkimi Evropian, që BE po vendoska për asetet dhe sovranitetin e Kosovës.

Demhasaj gjithashtu është shprehur se po krijohet përshtypja që BE është mësuar që Kosova të veprojë gjithmonë sipas udhëzimeve të tyre.

“Në anën tjetër, krijohet përshtypja që BE thjesht është mësuar me diçka të tillë, për shkak se Kosova gjithmonë çdo gjë që ka thënë Bashkimi Evropian e ka marrë si të mirëqenë dhe asnjëherë nuk ka kundërshtuar”, tha më tutje Demhasaj për lajmi.net.

Por sipas Demhasajt, mund të ekzistoj dyshimi që në të kaluarën pala kosovare ka pranuar që Trepçka të vendoset në dialog.

“Dhe mund të ekzistoj dyshimi që ndoshta pala kosovare në të kaluarën e ka pranuar që Trepça me u vendosë në dialog me Serbinë, përndryshe nuk mund ta marrë me mend se BE ka bërë një deklaratë të tillë”, përfundoi Demhasaj.

E në anën tjetër, njohësi i politikës ndërkombëtare, Avni Mazreku është shprehur se kjo nuk është asgjë e re dhe BE po vazhdon të dëshmoj qasjen politike ndaj Kosovës.

“Në fakt kjo nuk është asgjë e re çfarë ka thënë Kocijançiq në lidhje me Trepçën, për vet faktin se Kosova ka pranuar në fakt një marrëveshje për Stabilizim-Asocimin e që në atë marrëveshje shpjegohet qartë roli i BE-së në raport me statusin e Kosovës. BE-ja e ka treguar veten që është neutral me statusin e Kosovës dhe nuk e njeh statusin e Kosovës dhe rrjedhimisht kjo çfarë ka ndodhur është në rrjedhen e qasjes politike që ka BE në raport me Kosovën”, është shprehur Mazreku për lajmi.net.

Ai gjithashtu ka shtuar se Bashkimi Evropian nuk e njeh sovranitetin e Kosovës dhe përtej kësaj e mbështet sovranitetin e Serbisë mbi shtetin dhe territorin e Kosovës.

“Bashkimi Evropian, duhet ta kemi të qartë se nuk e njeh sovranitetin e Kosovës dhe në këtë formë i qaset Kosovës. Rrjedhimisht, në shumë dimensione të saj dhe në proces të dialogimit, pavarësisht që provon të paraqitet si neutrale, BE merr pozicione të kundërta me shtetin e Kosovës, siç është rasti i taksës 100 për qind, që ky është pozicion i BE-së dhe jo rol neutral, si rasti i Trepçës ku Serbia merr rolin e mbështetjes së sovranitetit të Serbisë mbi shtetin e Kosovës. Ky është cenim i hapur, i drejtpërdrejtë, zyrtar i një teknokrate të BE-së në raport me territorin e Kosovës”, ka përfunduar Mazreku për lajmi.net.

Lajmi.net ka kontaktuar po ashtu me Sindikatën e Punëtorëve të Trepçës në lidhje me deklaratën e Maja Kocijançiq.

Kryetari i Sindikatës, Shyqyri Sadiku është shprehur se e hedhin poshtë qëndrimin zyrtarë të BE-së.

Ai gjithashtu ka shtuar se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës të gjitha ndërmarrjet e Kosovës janë të shtetit të Kosovës.

“Unë si kryetar i sindikatës, qëndrimin zyrtar të BE-së e hedh poshtë sepse me vet shpalljen e pavarësisë së Kosovës, të gjitha ndërmarrjet e Kosovës janë të shtetit të Kosovës dhe është e pakuptimtë dhe e papranueshme për ne që të diskutohet për Trepçën në Bruksel”, është shprehur Sadiku. /Lajmi.net/