Brazilit ia do me penallti

Yuichi Nishimura është bërë lajm kryesor për penalltinë që akordoi në favor të Brazilit kundër Kroacisë. Por, nikoqiri i Botërorit në të kaluarën ka përfituar nga njëmbëdhjetërshi në rrugëtim drejt titullit.

Sport

13/06/2014 14:07

Penalltia e akorduar nga gjyqtari Yuichi Nishimura në favor të Brazilit kundër Kroacisë në ndeshjen e parë të Kampionatit botëror është duke u diskutuar gjerë e gjatë në mediat e huaja.

Japonezi është ballafaquar me kritika të shumta për mënyrën si sinjalizoi tek pika e bardhë pas kontaktit minimal mes sulmuesit Fred dhe mbrojtësit Dejan Lovren.

Penalltia e shndërruar në gol nga Neymar udhëhoqi Brazilin drejt fitores me rezultat përfundimtar 3:1. Mirëpo, nëse kthehemi prapa shohim se edhe në të kaluarën gjiganti nga Amerika e Jugut ka përfituar nga vendimet diskutabile të gjyqtarit.

Para saktësisht 12 vjetësh, Brazili fitoi Kampionatin botëror dhe rrugëtimin drejt triumfit e bënë pikërisht me një penallti në përmbysjen e realizuar kundër Turqisë 2:1.

Njësoj si kroatët tani, turqit aso kohe kishin akuzuar rëndë gjyqtarin. Por, brazilianët u përqendruan vetëm në festë.