Bosnje e Hercegovinë: Nga sot ndalohet mohimi i gjenocidit në Srebrenicë

Nga e mërkura në Bosnjë e Hercegovinë është i ndaluar me ligj mohimi i gjenocidit në Srebrenicë dhe shkelësit e ligjit mund të dënohen me burgim.

Lajme

28/07/2021 12:30

Vendimi i Përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje, Valentin Inzko për plotësimin e Kodit Penal për këtë çështje hyn sot në fuqi.

Javën e kaluar Inzko, shpalli të premten vendimin me të cilin ndalon mohimin e gjenocidit, duke iu kundërvënë përpjekjeve të serbëve të Bosnjës për të mohuar masakrën e vitit 1995 në Srebrenicë, gjenocidi i vetëm në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Vendimi nxiti reagime të ashpra nga Republika Sërpska, entiteti me shumicë serbe në Bosnje. Anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Milorad Dodik, paralajmëroi se Bosnja mund të shpërbëhet dhe nisi një peticion për mospranimin e ndryshimeve në Kodin Penal.

Përfaqësuesit e serbëve thanë se nuk do të marrin pjesë më në institucionet shtetërore të Bosnje-Hercegovinës.

Zyra e Përfaqësuesit të lartë tha se çdo veprim për bllokimin e institucioneve të Bosnjës është hap në drejtim të gabuar, raporton VOA.

Republika Sërpska paralajmëroi për datën 30 korrik debatin mbi dy ligje që parashohin moslejimin e zbatimit të vendimit të zotit Inzko dhe dënimin e të gjithë atyre që, siç thuhet, “fyejnë” këtë entitet.

Ndryshimet në Kodin Penal të vendosura nga zoti Inzko parashohin dënime me heqje lirie deri në pesë vjet për mohuesit e gjenocidit dhe për çdo madhërim të kriminelëve të luftës, përfshirë emërtimin e rrugëve ose institucioneve publike me emrat e tyre.

Si organi më i lartë ndërkombëtar që mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes së paqes që i dha fund luftës së Bosnjës të viteve 1992-1995, OHR-ja ka autoritetin të imponojë vendime ose të shkarkojë zyrtarë që dëmtojnë ekuilibrin etnik të pasluftës dhe përpjekjet për pajtimin midis boshnjakëve myslimanë, serbëve dhe kroatëve të Bosnjës.

Gjenocidi në Srebrenicë u krye pasi serbët e Bosnjës morën kontrollin mbi enklavën lindore në korrik të vitit 1995, ndonëse ishte shpallur zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara. Ata ekzekutuan burrat dhe djemtë boshnjakë dhe hodhën trupat e tyre në varre masive të cilat më vonë u hapën dhe trupat u rivarrosën në pjesë të ndryshme për të mbuluar krimin. Edhe më tej vazhdon procesi i zhvarrimit dhe identifikimit të viktimave.

Serbët e Bosnjës dhe Serbia e kanë quajtur masakrën një krim, por kanë refuzuar ta njohin atë si gjenocid.

Lufta e Bosnjës e viteve 1992-1995 që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë dhe miliona të zhvendosur, mori fund me marrëveshjen e paqes që u arrit në vjeshtën e vitit 1995 në Dayton të Ohios.