Bojkotimi i fjalës së Osmanit në Kuvend, PDK: Osmani e ka braktisur rolin e saj unifikues, ka shkelur Kushteutën

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri ka treguar arsyet pse PDK-ja e ka bojkotuar fjalimin vjetor të presidentes Osmani në Kuvend. Tahiri fillimisht ka thënë se Osmani e ka braktisur rolin e saj unifikues që e ka me Kushtetutë. “…Sepse me vendimet, veprimet dhe mosveprimet e saj ka demonstruar njëanëshmeri të thellë politike ndaj…

Lajme

15/12/2023 12:28

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri ka treguar arsyet pse PDK-ja e ka bojkotuar fjalimin vjetor të presidentes Osmani në Kuvend.

Tahiri fillimisht ka thënë se Osmani e ka braktisur rolin e saj unifikues që e ka me Kushtetutë.

“…Sepse me vendimet, veprimet dhe mosveprimet e saj ka demonstruar njëanëshmeri të thellë politike ndaj pushtetit dhe nënshtrim ndaj Albin Kurtit”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Sipas Tahirit, Osmani si presidente ka dështuar tërësisht në përfaqësimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.

“Asnjë njohje të re dhe asnjë anëtarësim në organizata serioze ndërkombëtare”, ka nënvizuar Tahiri.

Tahiri tutje ka shkruar se Osmani e ka shkelur Kushtetutën, ka heshtur përballë procesit të dialogut e pas masave të vendosura nga BE-ja.

“Në aspektin e brendshëm, jo vetëm që i ka mbyllur sytë përballë skandaleve dhe aferave korruptive të kësaj qeverie por i është bashkuar fushatës qeveritare për të sulmuar institucionet e pavarura të drejtësisë dhe në rastin më të keq duke e shkelur kushtetutën në çështjen e mos dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit. Praktikisht në vend se të mbështeste në mënyrë institucionale pavarsinë dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë, ajo ka penguar punën e tyre, duke penguar kështu edhe luftën kundër korrupsionit dhe dukurive negative”.

“Nga ana tjetër, zonja Osmani si presidente nuk e ka pasur as kurajon më të vogël politike dhe institucionale për të mbrojtur Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë, proces i cili Kosovës i solli marrëveshjen më të dëmshme të mundshme – atë të Brukselit, Aneksin e saj të Ohrit dhe së fundi edhe draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si derivat i kësaj marrëveshje”.

“Pra, duke qëndruar e heshtur edhe përballë procesit të dialogut që vendit i solli autonominë politike dhe territoriale serbe në Kosovë, e në anën tjetër duke qënë kreu i shtetit dhe përfaqësuese e parë e Kosovës në politiken e jashtme, ajo ka dhënë dëshminë më të madhe që vetëm përfaqësuese e unitetit të popullit nuk mund të jetë”, ka shkruar Tahiri.