Bizneset të kënaqura, presin rritje punësimi, sipas anketës së OEK-ut

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka prezantuar sot rezultatet e studimit “Klima e biznesit në Kosovë”. Në këtë tremujor, indikatori i konfidencës ka shënuar rritje; pritjet për punësim nga sektori i ndërtimit janë më të lartat, pasuar nga sektori i prodhimit; pritjet për periudhën ciklike 6 mujore janë optimiste dhe me trende në rritje.

Lajme

29/07/2017 14:43

Sipas publikimit, gjendja aktuale e bizneseve vlerësohet të jetë e mirë krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti. Niveli i kënaqshmërisë së bizneseve për këtë tremujor arrin në 86 për qind, kundrejt 14 për qind e të cilëve vlerësuan gjendje jo të mirë të biznesit, raporton Ekonomia Online.

Pritjet për punësim vazhdojnë të jenë favorizuese, sektori privat këtë tremujor pritet të mbaj numrin e njëjtë të punësuarëve (64%). Ndërsa pritjet për rritje të punësimit janë më të ulëta krahasuar me tremujorin paraprak, respektivisht 33 për qind e bizneseve presin rritje të numrit të punëtorëve. Ndërsa vetëm 2 për qind e kompanive presin rënie në punësim.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu tha se puna e Odës Ekonomike të Kosovës dhe rritja e bashkëpunimit me institucionet e tjera ka bërë që gjendja në bizneset private të përmirësohet. Ai ka theksuar se edhe në këtë tre mujor klima e biznesit vlerësohet të jetë e mirë.

“Vlerësimi është i njëjtë me atë paraprakë por dukshëm më i mirë krahasuar me periudhat krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprakë, dhe po e shihni që një punë dhe një angazhim në dialog me të kaluarën e ka krijuar një qëndrueshmëri që me të vërtetë duhet të vlerësohet”, ka theksuar ai.

“Gjendja aktuale në këtë tremujor është se 86% e kompanive të anketuara të të gjithë sektorëve deklaruan për nj gjendje më të mirë ën biznes në këtë periudhë krahasuar me tremujorin paraprak. Gjendja në këtë tre mujor paraqitet dukshëm më e mirë edhe krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprakë përderisa në tre mujorin e dytë të vitit 2016, 30% e bizneseve kishin deklaruar gjendje të mirë të biznesit, në këtë tremujor kemi 45% ose një rritje për 15% e bizneseve të anketuara dhe definitivisht ky tremujor paraqet gjendjen aktuale më të mirë në të gjithë tremujorët që nga viti 2013 kur kemi filluar të bëjmë këto analiza”, ka thënë Gërxhaliu.

Sa i përket pritjeve për punësim, ai ka thënë se janë pozitive, megjithatë krahasuar me tremujorin paraprak ka një rënie prej 9%.

“Bizneset tona presin dhe planifikojnë të kalojnë këtë periudhë sezonale me numër aktual të punëtorëve. Ajo çka na bën krenar është fakti se sektori i ndërtimit në këtë tremujor ka pritjet më të larta për punësim kjo bazuar në faktin që në tremujorin e dytë përmban aktivitete më të mëdha biznesore në këtë sektor. Pritje për rritje të punësimit ka edhe sektori i prodhimit me një përqindje paksa më të ulët ndërsa sektorët  tjerë kanë pritje akoma më të ulëta për rritje të punësimit. Na bën vërtetë të ndihemi komod që nuk është më tregtia ajo që gjeneron punësim por kemi dy sektorë që janë substancial për qëndrueshmëri”, ka theksuar Gërxhaliu.

Ai tha se rezultatet e këtij publikimi janë inkurajuese dhe dëshmojnë edhe një herë se zhvillimi i sektorit privat do të thotë zhvillim i ekonomisë së shtetit, raporton EO.

Ndërsa, ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami tha se rëndësia e sektorit privat është shumë e madhe andaj edhe shpreson se në krye të institucioneve të vijnë persona që ia dinë rëndësinë këtij komuniteti.

“Tek mungesa e kualifikimit të fuqisë punëtore, tek ne është e theksuar, por besoj që ky është një problem që përcjell secilin vend. Ne kemi parë mënyrën se si vendet e zhvilluara e zgjedhin këtë problematikë dhe ato e zgjedhin duke hapur dyert e kompanive për studentë dhe praktikantë qysh në fazat e hershme të studimit të tyre. Në fakt më duhet ta them me keqardhje ne kemi një refuzim nga ana e sektorit privat për të pranuar studentë dhe të rinj për të kryer praktikat në këto kompani”, ka thënë ajo.

“Unë besoj që kjo është në beneficion të vet sektorit privat sepse nuk ka institucione arsimore të cilat qind për qind do i përgatitshin profilet për të gjithë sektorët, qoftë prodhues qoftë shërbyes, andaj besoj që këtu ne duhet të zgjerojmë bashkëpunimin mes institucioneve dhe sektorit privat dhe institucioneve akademike”, ka theksuar ajo.

Në këtë studim të OEK-ut janë anketuar 474 ndërmarrje nga pesë sektor të ndryshëm: Tregti me shumicë dhe pakicë, prodhim, ndërtimtari dhe shërbime tjera si transporti, hoteleri e të tjera.