Barrierat ekonomike sfidojnë bashkëpunimin tregtar në rajonin e Ballkanit

Marrëdhëniet ekonomiko-tregtare të Kosovës me vendet e rajonit, vazhdojnë të sfidohen me probleme të ndryshme. Autoritetet në Prishtinë thonë se përjashtuar Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, Kosova ka bashkëpunim tregtar me vendet tjera të rajonit, ndonëse jo në nivelin e avancuar. Jo rrallë herë, Kosova është ballafaquar me barriera tarifore dhe jotarifore edhe nga shtet tjera fqinje.

Lajme

03/09/2019 19:49

Sytrime Dervisholli, drejtoreshë në Departamentin e Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në këtë fushë ka hapësirë që raportet të përmirësohen.

“Shkëmbimet tregtare me vendet e rajonit përbëjnë rreth 30 për qind të totalit të bilancit tregtar, do të thotë importeve dhe eksporteve. Është partneri i dytë pas vendeve të Bashkimit Evropian. Për raportet mund të them se janë relativisht të mira, por sigurisht që ka hapësirë që këto raporte të jenë më të mira në vitet e ardhshme”, tha Dervisholli.

Qeveria e Kosovës pothuajse se ka ndërprerë tashmë marrëdhëniet ekonomike-tregtare me dy shtetet të rajonit, me Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinës, pasi që nga muaji nëntor i vitit të kaluar ka vendosur taksë 100 për qind për mallrat e importuara nga këto shtete, çka ka bërë që importi nga këto vende të bie deri në 90 për qind.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, aktualisht mbesin shtete me të cilat Kosova ka bashkëpunim më të madh ekonomik, përkatësisht tregtar, por edhe me këto shtete, jo rrallë herë janë paraqitur barriera tarifore.

Më herët përfaqësues të prodhueseve në Kosovë kanë pohuar se autoritetet shqiptare po i pengojnë bizneset nga Kosova që të jenë më të pranishme në tregun e Shqipërisë. Sipas tyre, prodhueseve nga Kosova po ju paraqiten barriera tarifore dhe jotarifore, si rasti i akcizës së birrës, pastaj procedurat e zhdoganimit në Shqipëri, pagesa e skanerit, noterizimi i analizave, mosmarrja për bazë e çmimit të faturës nga Dogana Shqiptare e shumë pengesa tjera, që sipas prodhuesve, po dëmtojnë konkurrueshmërinë e produkteve të Kosovës në Shqipëri.

Kurse problemet e fundit më Maqedoninë e Veriut janë paraqitur në muajin qershor, kur Shkupi zyrtar kishte vendosur barriera tarifore për rasatin e peshkut. Më pas, Qeveria e Kosovës ishte kundërpërgjigjur duke vendosur masa reciprociteti për disa produkte të Maqedonisë së Veriut.

Për këto barriera në fund të muajit të kaluar, dy ministrat e Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës dhe Maqedonisë se Veriut janë takuar në Prishtinë dhe është çështje ditësh, siç thotë Dervisholli, që këto probleme të tejkalohen.

“Mund të them se pothuajse me të gjitha vendet e rajonit ka barriera tregtare, qoftë barriera tarifore dhe jotarifore. Gjithashtu dihet se në raport me Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën ekzistojnë edhe problemet politike, do të thotë që vështirësojnë edhe më shumë të bërit biznes për afaristët kosovarë. Mirëpo, ka barriera edhe me shtetin e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë”, tha Dervisholli.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit pohojnë se vendet e rajonit nuk e kanë zbatuar gjithmonë Marrëveshjen për Tregti të Lirë me vendet e Ballkanit Perëndimor (CEFTA), e cila mundëson trajtim të barabartë të të gjitha shteteve.

Agim Shahini, kryetar në Aleancën Kosovare e Re, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se në shkëmbimet tregtare vazhdimisht ka ndikuar edhe situata politike.

“Pengesa jotarifore vazhdimisht u janë adresuar bizneseve të Kosovës karshi vendeve të tjera. Mendoj se Kosova në shumicën e rasteve është sjell konform kërkesave të bizneseve. Por, politika ka qenë gjithmonë ajo që ka ndikuar vazhdimisht në proceset ekonomike dhe kjo vazhdon të jetë viktimë, pra bizneset kanë qenë viktimë e politikave ditore, e sidomos atyre politikave nacionaliste në Ballkan”, tha Shahini.

Ai ndër të tjera thotë po ashtu se edhe situata e krijuar politike në Kosovë, shpallja e zgjedhjeve të parakohshme, mund të ndikojnë në bashkëpunimin ekonomik të Kosovës dhe vendeve të rajonit.

“Zgjedhjet e njëpasnjëshme në gjithë Ballkanin Perëndimor janë të lidhura me ekonominë sepse ndalen të gjitha projektet. Edhe në Kosovë zgjedhjet që janë paralajmëruar, mund të them se do të ndikojnë në ekonominë e vendit duke përfshirë edhe shkëmbimet tregtare”, tha Shahini.

Ndryshe, Bashkimi Evropian disa herë u ka kërkuar vendeve të Ballkanit Perëndimor që të zhvillojnë projekte të përbashkëta, me standarde evropiane, në fushën e infrastrukturës rrugore, hekurudhore, por edhe doganore, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave.