Barazia gjinore domodoshmëri e suksesit në organizatë

Barazia gjinore i referohet barazisë midis grave dhe burrave në funksion të trajtimit të tyre, që sipas ligjit për barazi gjinore, barazia gjinore është ushtrimi i plotë dhe i barabartë i femrave dhe meshkujve i të drejtave të tyre të njeriut, mos prania e diskriminimit në bazë gjinore në mundësitë, ndarjen e burimeve apo përfitimeve si dhe qasjen në shërbime.

Lajme

17/02/2018 17:29

Koncepti i ndarjes gjinore apo rolet gjinore, shpesh here është parë i lidhur me llojin e profesionit, vendin e punës dhe sidomos i lidhur ngushtë me karrierën. Gjithashtu barazia gjinore i referohet edhe mundësisë për punë, për të ardhurat ekonomike si dhe gjendja sociale. Edhe pse koha po punon pozitivisht në këtë drejtim dhe tabutë lidhur me këto ndasi po vijnë duke u zvogëluar, prapëseprapë ritmet e zvogëlimit të pabarazisë janë të vogla dhe po ecin ngadalë. Niveli i trajtimit dhe i mbrojtjes së marrëdhënie vetë punës në një shoqëri është vendimtar në përcaktimin e shkallës së civilizimit dhe të demokratizimit të jetës në këtë shoqëri.

Kjo është e shprehur edhe te liria e shprehjes së vullnetit në zgjedhjen e një profesioni, mos diskriminimi i kësaj zgjedhjeje për shkak të gjinisë, njohja e të drejtave dhe detyrimeve që gëzon çdo shtetas pavarësisht nga gjinia, niveli i mbrojtjes së rasteve abuzive të ndërprerjes së marrëdhënies së punës pa shkaqe të arsyeshme, si dhe shumëllojshmëria e rrugëve dhe mjeteve të kësaj mbrojtjeje, janë ndër parimet më të rëndësishme, zbatimi i të cilave rrit numrin e garancive të qytetareve.
Marrëdhënia e punës është e lidhur ngushtë edhe me kornizën ligjore që rregullon dhe garanton të drejtat të barabarta. Nisur nga këto që u cekën më lartë, Policia e Kosovës gjegjësisht Zyra për të Drejtat e Njeriut dhe Shoqata e Grave Police, kanë bërë një studim dhe ky studim është fokusuar pikërisht në analizën e nivelit të njohurisë të punonjësve rreth barazisë gjinore në policinë e Kosovës, me theks të veçantë të grave që punojnë në polici. Një nga pritshmëritë e këtij hulumtimi është edhe identifikimi drejtimit dhe mjeteve kryesore të ngritjes së njohurive rreth barazisë gjinore në PK.

Të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me ketë hulumtim, synojnë në fund të fundit të nxjerrim konkluzionet lidhur me situatën reale, të gjeturat dhe rekomandimet se si të përmirësohen gjendja ne sferat përkatëse. Kështu që, pritet shumë shpejt të dalin rekomandimet nga hulumtimi në fjalë.
Shoqata e Grave të Policisë së Kosovës (SHGPK), ndihmon për të promovuar parimet e barazisë gjinore në kuadër të Policisë së Kosovës, integrimin e perspektivës gjinore brenda organizatës dhe është e angazhuar të arrijë objektivat e saj përmes sensibilizimit dhe avokimit për rritjen e numrit te të punësuarve femra brenda Policisë së Kosovës. Shoqata e Grave Police të Kosovës është themeluar duke ia caktuar vetit një mision të qartë, vizion të qëlluar, si dhe arritje të objektivave përmes aktiviteteve të shoqatës. Misioni i Shoqatës të Grave Police të Kosovës është të fuqizoje, të përkrahë, të promovojë të drejtat e femrave dhe të ngritë profilin e tyre në kuadër të Policisë së Kosovës, duke përfshirë dy kategoritë, atë të zyrtareve të uniformuara dhe punonjëseve të stafit civil. Ndërsa vizioni i Shoqatës të Grave Police të Kosovës është që PK-ja të ketë gra të fuqishme dhe të afta në aspekt profesional me mundësi, qasje dhe pjesëmarrje të barabartë.

Zyra për Drejtat e Njeriut dhe Diversitet ne kuadër te policisë se Kosovës qe nga themelimi i saj e deri më sot me punë dhe angazhim të madh ka arrit të ngrit në nivelin më të lart trajtimin e çështjes së drejtave të njeriut, barazisë dhe diversitetit në Policinë e Kosovës. Promovimi i respektimit te të drejtave të njeriut, diversitetit dhe barazisë gjinore, fusha e trajtimit të të drejtave të fëmijëve të drejtat e personave të arrestuar, të drejtat e personave të ndaluar, të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, barazinë gjinore si dhe çështjet tjera në kuadër te të drejtave të njeriut, duke u bazuar në dispozitat ligjore në fuqi dhe me aktet tjera normative.

Bashkëpunimi i këtyre dy akterëve ka arritur ta ngre në nivel të lartë çështjet që ndërlidhen me fuqizimin e barazisë gjinore në çdo aspekt brenda policisë së Kosovës.

(Ky shkrim është përgatitur nga Shoqata e Grave e Policisë së Kosovës dhe ka për qëllim sensibilizimin dhe inkurajimin e vajzave dhe grave për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës)