Autostrada e Dukagjinit, Ligji për Prishtinën, heqja e tatimit dhe akcizës për lëndën e parë…

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së qeverisë ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka vlerësuar të rëndësishme miratimin e dy vendimeve nga Qeveria e Kosovës, njëri që e liron prodhuesin nga tatimi i akcizës për lëndën e parë që e përdor si burim energjie për prodhim dhe vendimi tjetër…

Lajme

06/10/2017 19:24

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së qeverisë ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka vlerësuar të rëndësishme miratimin e dy vendimeve nga Qeveria e Kosovës, njëri që e liron prodhuesin nga tatimi i akcizës për lëndën e parë që e përdor si burim energjie për prodhim dhe vendimi tjetër që e liron prodhuesin nga tatimi në doganë për lëndën e parë, gjysmë produkte që përdoren në proces të prodhimit, materiale përpunuese, makineritë prodhuese dhe pajisjet e teknologjisë së informacionit.

Po sot, Haradinaj ka shpalosur detaje të reja rreth ndërtimit të autostradës së Dukagjinit.

Haradinaj tha se vendimet e marra sot janë lajm dhe porosi e fuqishme për sipërmarrësit dhe për prodhuesit, duke theksuar se edhe në takim me zëvendëspresidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim janë pajtuar që procedurat për financimin e autostradës së Dukagjinit, konkretisht pjesa e mbetur Kijevë-Zahaq, të përshpejtohet.

“Në fund të muajit nëntor do të kemi marrëveshje financiare të nënshkruar dhe me fillim të pranverës do të filloj ndërtimi i autostradës së Dukagjinit, e cila do të përmbyllet vitin që vjen. Kemi hapësirë të veprojmë në auto-rrugën për Gjakovë nga Klina, dhe vitin që vjen do të fillojmë me projekt”, tha Haradinaj, duke potencuar se krejt këto janë kalkulime të qëndrueshme dhe me efekte ekonomike.

Po sot qeveria e drejtuar nga Haradinaj ka miratuar edhe projektligjin për Prishtinës, i cili është përmendur për më shumë se 10 vjet.
Autostrada e Dukagjinit

Ministri i Transportit, Pal Lekaj ka thënë se autostrada e Dukagjinit mund të kushtojë rreth 200 milionë euro.

Haradinaj, në një tubim të mbajtur mbrëmë në Deçan është shfaqur i vendosur për përfundimin e saj.

“Për autostradën e Dukagjinit sot kam kërkuar të ndahen 80 milionë euro. Pra që në autostradën Prishtinë -në Pejë, mos të shkohet me nga pesë km në vit, por të kryhet vitin që vjen. Sepse, me nga dhjetë milionë euro dhe 7-8 km ajo nuk kryhet deri më 2030-ën. Ka ndërruar koha tash, autostrada ka për të përfunduar në vitin që vjen, ashtu që kur të bjerë bora e vitit tjetër, ajo do të bjerë mbi asfalt, mbi auto rrugën e Dukagjinit. Dy ministrat e qeverisë së Kosovës e dinë këtë, Bedri Hamza e ka dëgjuar prej meje, e di Pal Lekaj, edhe unë e di”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka premtuar po ashtu se auto rruga Klinë -Gjakovë do të fillojë vitin që vjen. Kryeministri ka përmendur edhe një autostradë tjetër, fizibiliteti i të cilës do të nisë vitin që vjen. Fjala është për projektin e autostradës e Dukagjinit, Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren. Kjo autostrada do të lidhet më pas me atë “Ibrahim Rugova”, duke lehtësuar edhe qarkullimin drejt Shqipërisë.

Përvec kësaj, me këtë autostradë, Kosova përfundimisht lidhet në të gjithë territorin e saj më rrugë me katër korsi. /Lajmi.net/