Auditori Gjeneral ia dërgoi prokurorinë Lutfi Hazirit, ja për çfarë akuzohet kryetari i Gjilanit

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Gjilanit, kundër  të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri., për shkak se ka kryer veprën penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar. Lajmi.net ka mësuar se aktakuza është ngritur pas denoncimeve të bëra nga Auditori Gjeneral

Lajme

30/08/2016 14:50

Siç ka njoftuar prokuroria,  Haziri, dyshohet se duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që për vete ose për persona të tjerë, të përfitojë çfarëdo dobie, duke ua shkelur të drejtat e pjesëmarrësve tjerë në ankand publik.

Të dhënat e prokurorisë, sipas të cilave kanë quar në aktakuzë figurojnë në Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare të Komunës së Gjilanit për vitin 2014 të publikuar në vitin 2015 nga Auditori Gjeneral.

Auditori kishte gjetur që, Komuna kishte zhvilluar procedura të hapura me ankand publik për dhënien në shfrytëzim për një periudhë 5 vjeçare të hapësirave publike për parkingje komunale. “Fitues i ankandit ishte kompania “S.O Bezi” pasi që kishte ofertuar çmimin më të lartë vjetor 54,120 euro për hapësirat 6,600 . Më vonë, bazuar në një kërkesë nga kompania komuna me një aneks kontratë kishte ndryshuar marrëveshjen fillestare dhe kishte ulur çmimin vjetor nga 54,120 euro në 20,520 euro. Ky ndryshim i çmimit është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 4, dhe 5 të ligjit për Dhënien në Shfrytëzim të Pronës së Paluajtshme Komunale (04/L- 144)”, thuhet në Raportin e auditimit, dhe rrjedhimisht e njëjta e gjetur është inkorporuar edhe në aktakuzë, raporton lajmi.net.

Auditori kishte shfaqur rrezikun që, ndryshimi thelbësor i kontratave publike ka rezultuar me humbje financiare për 2014 për komunën për 33,600 euro. Ndërsa për periudhën 5 vjeçare potencialisht humbja mund të jetë 168,000 euro. “Mos zbatimi i legjislacionit për pasuritë komunale rezulton me trajtim jo të barabartë të operatorëve, mos transparencë dhe dëmtim të interesit publik. Ekziston rrezik i vazhdueshëm që raste të tilla përçojnë mesazhe të gabuara në publik dhe që të krijohen precedent ku operatorët kërkojnë ndryshim të kushteve esenciale, dhe inkurajojnë operatorët të mos kryejnë obligimet financiare ndaj komunës”, thuhet në raportin e auditorit.

Me këtë rast, Auditori i kishte rekomanduar kryetarit që të siguroj se ligji dhe rregulloret relevante për dhënien në shfrytëzim të pasurive komunale duhet të gjejnë zbatim të plotë dhe që sa më parë të zhvillohen procedurat e nevojshme për dhënien në shfrytëzim të pasurive komunale. “Ndryshimi i çmimit të kontratës publike fillestare me aneks kontratë duhet të rishqyrtohet, dhe rastet e tilla nuk duhet të përsëriten. Kryetari duhet të inicioj një hetim të këtij rasti dhe masa të nevojshme administrative ose /dhe ligjore duhet të ndermirën”, ka qenë sugjerimi i ZAP për kryetarin e Komunës.

Meçense të gjeturat e ZAP janë inkorporuar të gjitha në aktakuzë, sipas aktakuzës, i pandehuri L.H, me këto veprime ka kryer veprën penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar nga neni  422 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 nënparagrafin 2.2  dhe 2.4 të KPK-së.

Prokurori e rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga Gjykata që i akuzuari të shpallet fajtorë për kryerjen e veprës penale dhe të dënohen sipas ligjit. /Lajmi.net