Asamblistë dhe biznesi i babait të kryetarit të Prizrenit përfitojnë nga komuna, kjo mund të përbëjë shkelje

Komuna e Prizrenit ka publikuar listën preliminare nga subvencionet për bizneset që janë dëmtuar ekonomikisht për shkak të pandemisë.

Lajme

04/12/2020 19:03

Drejtoria për Ekonomi dhe Financa të Prizrenit ka shpallur listën preliminare të përfituesve nga thirrja publike të datës 12.10.2020 për bizneset, veprimtaritë e të cilëve kanë qenë të ndaluara në periudhën mars-qershor 2020 nga Republika e Kosovës me qëllim të parandalimit të shpërndarjes së virusit COVID-19 apo kanë pësuar rënie të theksuar të aktivitetit ekonomik si pasojë e këtyre masave

Komuna ka thënë se përzgjedhja e përfituesve është bërë në bazë të vlerësimit të komisionit sipas kritereve të përcaktuara në bazë të thirrjes.

Lajmi.net ka parë se në këtë listë ndodhen emrat e bizneseve të shumë personave që janë militantë partiakë të partisë në pushtët në Prizren, por dhe nga partitë tjera.

Në listën e komunës gjenden edhe emrat e bizneseve të asamblistëve të Komunës së Prizrenit, rrjedhimisht ku ata janë menaxherë, por dhe pronarë. Po ashtu, në këtë listë është edhe emri i biznesit të babait (tashmë i ndjerë) të kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka.

Një përfitim i tillë nga fondet e komunës, i asamblistëve dhe i familjarëve të kryetarit mund të bie ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, dhe me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Lidhur më ligjshmërinë e këtij përfitimi, lajmi.net është në pritje të një përgjigjeje nga Agjencia Kundër Korrupsionit, pasi ky institucion kujdesët për zbatueshmërinë e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Petrit Hoxhaj është asamblistë në KK të Prizrenit nga radhët e LDK-së. Sipas deklarimit të pasurisë, ai është pronar i kompanisë me emër të biznesit Petrit Hoxhaj B.I me emrin tregtar “Kontabiliteti Etika”. Po ashtu është kontabilist në 14 kompani, menaxher në dy kompani dhe është mbikëqyrës në një kompani. Ai ka deklaruar të hyra nga 13 burime të ndryshme.

Kompania e tij, Petrit Hoxhaj B.I me emrin tregtar “Kontabiliteti Etika” figuron në listën e bizneseve përfituese të Komunës.

 

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Karanfil Haxhillari, në deklarimin e pasurisë për vitin 2020 ka shkruar se është menaxher tek kompania IKS – GmbH, ndërsa ka deklaruar se merr pagë vjetore tek kjo kompani në vlerë prej 5400 euro.

Emri i Haxhollit ndodhët edhe në listën e komunës së tij ku do të përfitojë subvencione.

Ai e ka emrin tek lista e bizneseve që nuk kanë plotësuar të gjitha kriteret për të qenë përfitues i subvencioneve, mirëpo, në dokumentacionin e dorëzuar u mungon një dokument. Pra, atij i mbetet që të dërgojë në komunë edhe certifikatën e biznesit më informatat përcjellëse.

Sipas deklarimit të pasurisë në AAK, ku ka shkruar se është menaxher në kompani, ai më këtë rast ka treguar edhe se ndodhet në konflikt të interesit, pasi zyrtari i lartë e ka të ndaluar që të jetë menaxher në një kompani të caktuar, ose të jetë person i autorizuar.

Zinxhiri i njohur i kinemave “CINEMARINE Europe”, në janar të vitit 2020 kishte arritur edhe në Prizren, konkretisht në “ABI ÇARSHI”. Dafina Alishani është asambliste e Lëvizjes Vetëvendosje në deklarimin e pasurisë ka shkruar se është menaxhere në kompaninë “Cinemarine Europe” LLC. Ajo ka deklaruar pagë vjetore në këtë kompani 15,600.00 euro, por ka shënuar se nuk është duke marrë pagë aktualisht në këtë kompani për shko të situatës së krijuar me Covid -19.

Kompania “Cinemarine Europe” LLC figuron se është fituese e fondeve nga Komuna.

Po ashtu, në listë ndodhët edhe emri i biznesit të babit të kryetarit të Komunës “Daver Haskuka BI.”, me emrin tregtar D.P.T. ” M M M “. Sipas ARBK-së, person i autorizuar në këtë kompaninë është Mytaip Haskuka, ndërsa pronarë akoma figuron babai i kryetarit Daver Haskuka, i cili ka vdekur në nëntor të këtij viti.

Ndërkohë, Komuna ka thënë se bizneset të cilët janë në listën preliminare të përfituesve me kusht (kanë plotësuar të gjitha kriteret për të qenë përfitues i subvencioneve mirëpo në dokumentacionin e dorëzuar iu mungon një dokument), dokumentet e munguara duhet t’i dorëzojnë në sportelin nr. 5 të Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa deri më 4 dhjetor 2020 në ora 16:00! Aplikuesit që nuk i dorëzojnë këto dokumente nuk do të përfitojnë nga subvencionimi.

Sipas Komunës, nga gjithsej 1467 aplikime, 362 janë refuzuar për shkak se nuk kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në thirrjen publike për subvencione. /Lajmi.net/